Plani i qeverisë/ Rritja e pensioneve, si do të shpërndahen mbi 205 miliardë lekë…
Qeveria shqiptare ka përcaktuar objektiva për sistemin e mbrojtjes sociale dhe shëndetësinë publike për periudhën 2025– 2028, duke rritur ndjeshëm fondet për pensionet, ndihmën ekonomike, kujdesin shëndetësor dhe kategoritë në nevojë.
Këto parashikime përfshihen në dokumentin zyrtar të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2026–2028, i cili është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe publikuar në Fletoren Zyrtare. Pensionet përbëjnë një nga zërat më të rëndësishëm të mbrojtjes sociale.
Sipas dokumentit, në vitin 2025 janë parashikuar 176.2 miliardë lekë për pagesat e pensioneve, ndërsa në vitin 2028 ky fond parashikohet të arrijë 205.4 miliardë lekë. Shtesa neto prej mbi 29 miliardë lekësh pasqyron përpjekjen për të përmirësuar jetesën e pensionistëve.
Rritja e fondit të pensioneve pasqyron jo vetëm indeksimet e zakonshme, por edhe përpjekjet për të përmirësuar të ardhurat e të moshuarve në një periudhë inflacioni dhe pasigurish ekonomike.
Pjesa më e madhe e rritjes shkon për pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, ndërkohë që do të vijojë edhe indeksimi i rregullt vjetor. Shtresa në nevojë do të vijojë të mbështetet përmes skemës së ndihmës ekonomike, e cila për vitin 2025 ka një buxhet prej 8 miliardë lekësh dhe në vitin 2028 arrin 10.3 miliardë lekë. Kjo do të thotë një rritje prej më shumë se 28% gjatë tre viteve të ardhshme.
@NewsIn.Al
