Presidenti përfaqëson një shembull tipik të qytetarit amerikan që e do vërtet dhe thellësisht vendin e tij dhe, natyrisht, bizneset e tij.
Ai krijoi një ekip të përkushtuar ndaj tij dhe vendit, për të mirën e vendit, edhe pse ndonjëherë me teprime. Nuk erdhën “patriotët e mirë” për të larguar “patriotët e këqij”, por ata që ndoshta e njohin më mirë skakierën ndërkombëtare dhe gjeopolitikën, sepse edhe gjeopolitika është një lloj biznesi.
Unë do ta quaja atë “Presidenti i stuhishëm”, por të gjithë e dimë se pas stuhisë vjen qetësia.
Praktikisht, të gjithëve na duhej një lloj tronditjeje për t’u rikthyer në normalitet, me përjashtim të Bashkimit Evropian, i cili jeton në mikrokozmosin e tij, me një tendencë të lartë për autoshkatërrim dhe mungesë liderësh që mund ta nxjerrin nga bataku i burokracisë dhe ndoshta i shpenzimeve të kota në këshilla dhe diskutime pa ndonjë rezultat thelbësor.
A mos vallë Bashkimi Evropian ka nevojë për një Vance apo një Musk?
Personalisht, mendoj se i duhen të dy, nëse dëshiron të dalë nga moçali politik ku ndodhet.
Ukraina! Le të mos jemi hipokritë. Gjithçka bëhet për para dhe për atë se kush do të arrijë të marrë pjesën më të madhe të “tortës”.
Evropa, natyrisht, nuk dëshiron të mbetet pas. Evropa e vetëdjegur nga kufizimet që i vendosi Rusisë. Me çfarë kostoje? Çfarë përfitimi për miliardat e shpenzuara në kurriz të qytetarëve evropianë për të mbështetur një hibrid të diskutueshëm të quajtur Zelensky, duke lënë ndërkohë qytetarët e saj pa energji dhe me rritje dramatike të çmimeve të saj.
Çfarë arriti Evropa? Çfarë përfitimesh do të ketë? A e di se çfarë dëshiron? Natyrisht, nuk po flas për Bankën Botërore apo EBRD, të cilat kanë dhënë miliarda në kredi. Të gjithë duan rindërtimin e Ukrainës sepse aty ka “shumë para”.
Por lideri dhe biznesmeni Trump e di se çfarë do dhe do ta marrë atë, ndërsa në Evropë burokratët dhe politikanët ende diskutojnë ose mbajnë fjalime. Ata do të marrin vetëm atë që mbetet nga “torta”. Mbështetja për Ukrainën nuk duhet të bazohet në emocione, por në realitet dhe pragmatizëm.
Mund të më thotë dikush pse ka kaq shumë ukrainas që jetojnë, pothuajse, në luks në vende të tjera dhe kanë shumë para, ndërkohë që vendi i tyre është në një situatë të dëshpëruar? Sa ukrainas do të duhej të ishin në frontin e luftës, por janë në vende të tjera duke shijuar jetën? Dhe këtu hyn Evropa “shpëtimtare” për të “shpëtuar” një vend që ndoshta nuk dëshiron të shpëtojë veten, por thjesht reputacionin e një presidenti të diskutueshëm.
Në vend që Evropa të rreshtohet me SHBA-në dhe të ndjekë një politikë të përbashkët, ajo po ndjek rrugën e saj, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, e cila, ndoshta për herë të parë, po largohet nga treni amerikan (nëse nuk gaboj).
Mos harrojmë se Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, kryesisht, sakrifikuan mirëqenien e qytetarëve të tyre për Ukrainën, duke i lënë ata ose të vuanin nga i ftohti ose, siç ndodhi, të paguanin kosto më të larta për energjinë për shkak të importit të LNG-së. Nga ku? Kryesisht nga SHBA.
Gjithashtu, me paratë e qytetarëve evropianë, dërguan armë tek një qeveri e rënë moralisht, e cila po e shkatërron popullin e saj, duke e çuar atë drejt një ngërçi të pashmangshëm dhe, për fat të keq, pa ndonjë strategji të qartë. Ndihmomëni të luftoj Rusinë duke shkatërruar vendin tim! Një kotësi e madhe, një pus pa fund. A nuk e sheh këtë asnjë lider evropian? Nuk është Rusia armiku.
Armiku është vetë Evropa dhe një luftë e humbur që në fillim. A kujton ndokush sa miliarda dollarë i detyrohej Ukraina Rusisë përpara se të niste kjo “luftë”? Sa minoritete të huaja ka zhdukur qeveria e Zelenskyt, duke i shpallur ato inekzistente?
Dhe për të mos harruar, Ukraina do të bëhet një miniaturë e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore! Kush e rindërtoi Evropën? Kush do ta rindërtojë Ukrainën? Sigurisht, SHBA. Në rastin e Ukrainës, Evropa do të jetë gjithashtu e pranishme. Përqindjet do t’i mësojmë. Gjithashtu, diçka për të mos u harruar: A e dini kush është pjesëtari kryesor i EBRD? Sigurisht, Amerika. Dhe gjithashtu, mos harroni miliardat që tashmë i ka dhënë Ukrainës, duke e hipotekuar praktikisht gjithçka.
I dashur President Trump, nuk jam as republikan as demokrat, madje as qytetar amerikan, por jam një qytetar i botës që dëgjon, analizon dhe gjykon, sigurisht, me formimin ekonomik dhe politik që kam. Po të ishe një shahist profesionist, do të ishe padyshim më i miri në botë. Shumë më i mirë se Kasparov.
Duke e mbyllur këtë artikull, dua ta përshtas pak, madje shumë, me ngjarjet tona shqiptare, veçanërisht me afrimin e zgjedhjeve.
Sot në Shqipëri, vetëm një politikan më kujton pak Trumpin, sepse është vërtet i stuhishëm, mjaft i çmendur, një vizionar i madh, jashtëzakonisht i irritueshëm kur dëgjon justifikime dhe marrëzira. Por sa për piktor, nuk mund të kem mendim, sepse nuk kam lidhje me artin—të paktën me të tijin. Kush e kuptoi, e kuptoi. Thjesht i mungojnë një Vance dhe një Musk, qoftë edhe në version shqiptar.
Gjykimi është i juaji.
Les Miserables
@NewsIn.Al

