Protestuesit i vendosën 24 orë ultimatum/ Reagon me urgjencë Rama!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së mijëra qytetarëve në Tiranë që kërkuan anulimin e projektit në Zvërnec dhe i vendosën ultimatum për 24 orë, ku deklaron se aktualisht nuk ekziston një projekt final për t’u anuluar.
Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anullojmë! Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt? E dini pse nuk ka projekt? Sepse projekti po punohet nga pesë studio ndër më prestigjozet në botë! Klikoni Kengo Kuma (Japoni) Bjarke Ingels (Danimarkë) Jean Nouvel (Francë) Emre Arolat (Turqi) K-Studio (Greqi) dhe njihuni me autorët e projektit arkitektonik”, ka shkruar Rama, ndërsa shton se kur projekti të jetë gati do prezantohet publikisht.
“Kështu që më vjen keq, po s’kemi projekt për të anulluar”, thotë kreu i qeverisë, i cili ndër të tjera, shton se akuzat dhe pretendimet që janë artikuluar gjatë protestës janë “shpifje dhe manipulime”.
“Po mirë, si do ta mbani gjallë me të njëjtat gënjeshtra këtë luftën tuaj të stisur me shpifje dhe me manipulime apo mendoni se ata mes jush, që më kanë besuar e votuar mua, do ju besojnë e ndjekin qorrazi deri kur ju të realizoni planin për të cilin jeni paguar, trainuar, orkestruar, madje jo nga një usta, po nga ustallarë të ndryshëm, të cilëve nuk u dhimbset natyra e Zvërnecit, po e duan Shqipërinë tokë të djegur për investimet e mëdha”, thotë ai, ndërsa e mbyll reagimin duke thënë: “E vërteta vonon po nuk harron dhe gënjeshtrat tuaja kanë nisur që sot t’i nxjerrin këmbët e shkurtëra”.
@NewsIn.Al
