Rama reagon për arrestimin e sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë:
E hapëm vetë kutinë e Pandorës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas arrestimit të sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.
“Para pak orësh dëgjova për një situatë që realisht të vë në siklet të jashtëzakonshëm. Një Sekretare e Përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Natyrisht që ana e, si të thuash, ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person i cili është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti dhe unë uroj që të ketë sa më shumë të tilla por ama nuk mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është realisht diçka e rëndë. Mungesa e sensit të patriotizmit, mungesa e sensit të detyrës, mungesa e sensit të etikës në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme.
Natyrisht që këtu ne e kemi hapur vetë këtë kuti të Pandorës, e kemi hapur vetë pikërisht sepse nuk kemi pranuar që të marrim përsipër përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi duke mbajtur këmbën tek kapaku i asaj kutie për të vazhduar avazin e nuk e di sa shekujve ku të pushtetshmit, të fuqishmit apo të mbështeturit e të mbrojturit e këtij vendi kurrë, asnjëherë nuk janë thirrur nga drejtësia. Këtë e kemi bërë ne.

