KreuAktualitetiRruga ime.../ Nga Edison Ypi

Rruga ime…/ Nga Edison Ypi

Rruga ime

Te Rruga ime fjala më e sikletshme është “puna”. Zbavitja më e këndëshme është Fejsbuku. Filmi më i bukur telenovela. Muzika më e pëlqyer sirena e makinës së policisë që vjen për të arrestuar komshiun. Vera më dehëse vjedhja. Rakia më e mrekullueshme hilja. Pija më freskuese vrasja.
Te Rruga ime ai që pret të vritet sa më vonë prej dikujt, bën çmos të vrasi sa më herët një tjetër.
Për 999 nga 1000 banorë të Rrugës time Romani nuk ekziston, Novela ka ikur në drejtim të paditur, “Tregim” quhet çdo thurje e përçartun fjalësh muhabeti kafeneje.
Te Rruga ime, ku mejhanet zhurmojnë nga muhabetet për gjeopolitikë botërore, askush nuk guxon të ankohet se mallrave nëpër dyqane nuk u vënë çmime.
Te Rruga ime mosmarrja e kuponit tatimor quhet veprim heroik kundër qeverisë së keqe.
Te Rruga ime gumëzhijnë nostalgjikët e dëshpëruar; Për jetën e sotme monotone të palezetshme pa guerrilje, pa atentate nëpër rrugica, pa mbledhje të fshehta, pa vrasje pas shpine, pa trakte mbi mure.
Për popullin e Rrugës time, kapitalizmi dhe pluralizmi nuk sjellin Liri, begati, prosperitetet, por papunësi, emigracion, mungesë Rendi, korrupsion, hajdutllëk, krim, farmacira, somniferë, pilula, tableta.
Banorët e Rrugës time nuk i hedhin asnjë qindarkë violinistit fukara që luan seriozisht Erik Satie rrëzë trotuarit, por vetëm lypsarëve pisanjosë që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër veç të shtrijnë dorën.
Brenda dyqaneve te Rruga ime nuk ka blerësa. Ka shitse kokulur mbi celular duke bërë selfie ose duke i rënë pash’ m’pash’ Fejsbukut me emër dhe pamje të ndryshuar.
Te Rruga ime ka gjithfar femrash; Të kollajta, të vështira, qeflie, nazelie, llapaqene, interesaxhie, të squta, budallaqe, delirante, të nxehta, të ftohta, të vakta, por nuk ka asnjë femër “che non ti rompe i coglioni”.
Te Rruga ime ka plot obezë, kardiopatë, endokrinopatë, të deprimuar, edhe nën 30 vjeç.
Qindra grafomanë delirantë folklorikë popullojnë Rrugën time.
Kafenetë te Rruga ime janë plot me spiuna nga natyra dhe ish-spiuna nga diktatura të qeshur e të ngrefosur që u nxijnë jetën njerëzve normalë.
Rruga ime ka me dhjetra zgëqe ku mbrëmjeve mblidhen të rinj të lodhur që tymosin hashash.
Rruga ime ka pa numërim bij që duan të vrasin babain, nipa që ëndërrojnë të helmojnë xhaxhain, kunata që shpresojnë t’i hedhin kunatat në gropën e gëlqeres, nuse që ëndërrojnë t’ua rrjepin lëkurën vjehrrave, vjehrra që duan tua presin fytin nuseve.
Te Rruga ime ka qindra të rinj që duan të ikin në Gjermani për të vetmen arësye sepse janë biondë, plot të tjerë në Turqi sepse u duket vetja të talentuar për aktor telenovele, dhe pa numurim të tjerë në Itali ku, sipas tyre, vidhet kollaj.
Rruga ime, plot me hajdutë, vrasës, militantë partiakë, evazorë fiskalë, budallenj, delirantë, me problematika sa për dhjetë milionë njerëz, ka vetëm tre mijë banorë, që nguten të vdesin, megjithse kurrë nuk kanë lindur.

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit