“Sa më të sinqertë me veten dhe publikun, aq më shumë shanse për të përmirësuar lojën dhe paraqitjen e kombëtares…’
Nardi olli
Pas intervistës së Silvinjos apo edhe intervistave të tjera, edhe pse nuk doja të shprehesha, ndërrova mendje! Nuk besoj se e vërteta dëmton, përkundrazi jam partizan i saj sepse mundëson ecjen para. Të thuash se humbëm nga mungesa e eksperiencës, apo se kishim përballë Italinë e madhe më duket justifikim fëminor dhe tejet i papranueshëm! Në optikën time modeste si sportdashës ne humbëm sepse patëm një ekip totalisht të shfazuar! Nga min e 15 e deri në të ’65! Repartet nuk kishin asnjë bashkëpunim mes tyre, nuk arritën për asnjë moment të organizonin një sulm, me topin që kalon nga mbrojtja, në mesfushë dhe mbyllet nga sulmi! Sigurisht pranoj një gjendje emocionale apo kondicion jo të mirë fizik të një apo disa futbollistëve, por jo të gjithë ekipit. E theksoj asnjë zbritje graduale apo e shpejtë nga mbrojtja në sulm. Po ajo Itali ishte edhe pas minutës së ’65-’70, po ekipi filloi të luajë. Ne mbetëm në lojë prej fatit, Strakoshës dhe Gjimshitit…. Nuk bëhet fjalë për të gozhduar në mur askënd, por marrja e përgjegjësive, artikulimi para opinionit publik i shkaqeve reale të rezultatit është për mua e vetmja mënyrë për të treguar se mesazhi është marrë dhe do të ketë reflektim! Ne herën e parë që morëm pjesë ishim me zero eksperiencë, por u ndjemë përfundimisht krenarë sepse luajtëm bukur e me zemër! Ne nuk shpresojmë të ecnim shumë para, por kishim bindjen se ekipi kombëtar do të luante me zemër dhe do të merte vlerësimin maksimal të shqiptarëve dhe ekspertëve! Madje, në bindjen time ky duhet të ishte edhe objektivi kryesor! Në vend të saj pamë një katrahurë zhgënjyese dhe një ekip të trembur deri në palcë, me zero përgatitje psikologjike edhe pse mjaft prej futbollistëve tanë luajnë si të barabartë me ata të ekipit italian, në Itali apo vende të tjera. Mos harrojmë se këtë Italinë e “frikshme”, e dogji nga një kampionat evropian dhe botëror, një ekip i “vockël”, shumë më i vockël se e yni dhe me shumë më pak eksperiencë, ai i Maqedonisë së Veriut…. Prandaj sa më të sinqertë me veten dhe publikun, aq më shumë shanse për të përmirësuar lojën dhe paraqitjen e kombëtares në respekt të atyre 50 mijë tifozëve që kishin sakrifikuar gjithçka për të qenë në stadi6m dhe gjithë shqiptarëve kudo jetojnë! Uroj dhe shpresoj se kombëtarja do të tregojë se ka lojtarë të talentuar, por edhe një dirigjent që di ti koordinojë dhe i organizon të luajnë në harmoni të plotë si një ekip! 
@NewsIn.Al

