Friday, August 21, 2026
spot_img
HomeAktualitetiSkandali me tenderat e AKSHI-t, Banka e Shqipërisë i heq licencën kompanisë...

Skandali me tenderat e AKSHI-t, Banka e Shqipërisë i heq licencën kompanisë së Ermal Beqirit për paranë elektronike

Banka e Shqipërisë ka vendosur t’i heqë licencën institucionit financiar të parasë elektronike “Soft & Solution”, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, i cili është shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për çështjen e AKSHI-t.

Ky vendim erdhi pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) lëshoi një urdhër arresti ndaj Beqirit në dhjetor të vitit të kaluar, duke e akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.

Edhe pse akuzat nuk lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e kompanisë financiare, Banka e Shqipërisë vlerëson se subjekti nuk plotëson më kriterin e “reputacionit të përshtatshëm” të aksionarit, një kusht thelbësor për të operuar në sektorin financiar.

Soft & Solution” kishte marrë licencën për institucion të parasë elektronike në nëntor 2021, por aktiviteti real nisi vetëm vitin e kaluar, kur kompania ofroi shërbime pagesash përmes markës “ALPay”.

Platforma “ALPay” ishte e integruar me sistemin e-Albania, duke u mundësuar qytetarëve kryerjen e pagesave për shërbime të ndryshme publike.

Ndërkohë, hetimet ndaj Beqirit dhe kompanisë së tij janë përfshirë në dosjen më të gjerë që lidhet me abuzimet në tenderat e AKSHI-t, institucion i drejtuar nga Mirlinda Karçanaj. Sipas hetimeve, Beqiri – ish-punonjës i administratës publike që më pas u bë biznesmen – së bashku me Ergys Agasin, dyshohet se kanë drejtuar një grup kriminal që ushtronte presion ndaj bizneseve, duke i detyruar të tërhiqeshin nga garat për tendera.

Hetimet sugjerojnë se tenderat me vlera të mëdha të AKSHI-t kanë krijuar një situatë oligopoli, ku fondet publike përqendrohen në pak kompani private, disa prej të cilave rezultojnë të jenë të lidhura mes tyre.
@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments