Një ditë, Stalini mblodhi byronë politike të regjimit komunist në Rusi dhe kërkoi një pulë të gjallë. Me t’ia sjellë, ai e kapi pulën e gjorë me njërën dorë dhe me dorën tjetër filloi t’ia shkulë puplat me dhunë. Pula kakariste e hidhej përpjetë për ti shpëtuar asaj dhune të pashoqe, por Stalini nuk ndaloi veçse pasi ia kishte shkulur të gjitha puplat.
Mandej, Stalini iu drejtua shokëve të partisë dhe idealit dhe u tha:”Tani ndiqeni me vëmendje!”
E lëshoi pulën e lemerisur në tokë dhe pasi bëri disa hapa larg saj, i tregoi grushtin me elb.
Të gjithë mbetën të shtangur kur panë pulën me pupla të shkulura dhunshëm, të rendë pas dorës që sapo e kishte torturuar. Ajo i afrohej tek këmbët dhe kërcente në drejtim të dorës me elb, e cila qëndronte në ajër.
Stalini i hodhi kokrra elbi përtokë ndërkohë që sillej rreth e rrotull dhomës. Pula e ndiqte me pasion të madh ngadoqë shkonte xhelati i saj.
Stalini u ndal dhe pasi u kthye nga shokët e tij të idealit, të cilët kishin zgurdulluar sytë dhe kishin shtangur në vend, tha:”Shokë! Kështu qeverisen njerëzit. E patë pulën që më ndiqte nga pas, pavarësisht torturës dhe dhimbjes që i shkaktova? Shokë! Ka popuj të cilët do të rendin pas xhelatëve dhe shfrytëzuesve të tyre, pavarësisht dhimbjeve dhe torturave çnjerëzore që u shkaktojnë!”
@NewsIn.Al

