TË GJITHA ZHDUKEN, BËHEN LËNDË LEGJENDASH DHE
VARROSEN ME SHPEJTËSI NË HUMNERËN E HARRESËS.
Mark Aureli
“ … Dije se edhe një sërë fjalësh që dikur ishin tepër të përdorura që njerëzit i flisnin përditë, sot shohim që janë vjetëruar dhe përdoren gjithmonë e më pak, madje do të vijë një kohë dhe ato do të zhduken. E njëjta gjë ndodh edhe me emrat e njërëzve të dëgjuar që ishin dikur, emrat e burrave që admiroheshin, që i mbanin me respekt gjithmonë, të gjithë në gojë, sot ata kanë filluar të harrohen e mos dëgjohen si dikur: Camillus, Caeso, Volesus, Dentatus dhe në një masë më të vogël, Scipio dhe Cato, dhe po ashtu edhe Augustus, Adrian dhe Antonius, për të gjithë këta, flitet më pak tani sesa në ditët e tyre.
Të gjitha zhduken, bëhen lëndë legjendash dhe varrosen me shpejtësi në humnerën e harresës. Dhe mendoje, kjo është e vërtetë për ata që dikur shkëlqenin si yje të shndritshëm në qiell, por për të tjerët (?). Eh, ata sapo dheu i mbulon kufomat e tyre, ata s’egzistojnë më, “as në sytë dhe as në mëndjen e njeriu”.
Në fund të fundit më duhet të pyes: “Çfarë do të përfitonim nga të kujtuarit e përjetshëm? Absolutisht asgjë. Vallë ja vlen të jetosh, që të kujtohesh? Apo më tepër, për çfarë ia vlen të jetosh?”
Mendoj se ato që ja vlejnë në këtë jetë janë: drejtësia në mendime, mirësia në veprim, të folurit që nuk mund të mashtrojë e me logjikë dhe një prirje për të pranuar psikologjikisht çdo gjë që vjen, duke e pritur atë si të nevojshme, të njohur, që rrjedh nga i njëjti burim si dhe burimi nga vijmë të gjithë …”
(“Ta is Eavton” libri IV-të, 33)
Shqipëroi: Ilia V. Ballauri ©
Nxjerrë nga: Fragmenta Litteraria – Varia 1 (I.V.B.) bot. 2024 fq.36
Mark Aureli – Perandor i Romës, (121 – 180 pas Kr.) i quajturi “Sofo” pra i Dituri, konsiderohej prej popullit të vet, si njëri prej të pesë perandorëve më të mirë të Romës. Gjatë gjithë ekzistencës së perandorisë, në rreth 20 vjetët që ai ishte në fuqi, perandoria kaloi një periudhë relativisht paqeje, stabiliteti e mbrothësie.
Prej filozofëve, vlerësohet si njëri prej stoikëve më të rëndësishëm që kaluan mbi dhè. Ai kreu shumë beteja dhe gjatë fushatave shkruajti në greqishten e vjetër, veprën madhore morale, të admiruar në botë për mijëra vjet, të titulluar, “Për veten time”.
@NewsIn.Al

