KreuAktualitetiTë gjithë e njohim Trampin (Trump) si njeriun e suprizave, jo vetëm...

Të gjithë e njohim Trampin (Trump) si njeriun e suprizave, jo vetëm të deklaratav/ Teodor Osoja

Të gjithë e njohim Trampin (Trump) si njeriun e suprizave, jo vetëm të deklaratave, por edhe të veprimeve të forta dhe shpesh kontroverse.

Në fakt të gjitha veprimet e tij kanë një linjë të qartë, edhe pse shpesh të pakuptueshme, në përgjithësi nga politikanët dhe analistët, që mbeten gojëshqyer nga veprimet e vendimet e tij: ai është biznesmen dhe në politikë ai vepron si biznesmen.
Qëllimi i tij është i thjeshtë. Të vendosë ekonominë mbi politikën. Politika duhet t’i shërbejë ekonomisë. Madje edhe ushtria duhet t’i shërbejë ekonomisë.
Asnjë biznesmen i fuqishëm nuk e dëshiron, por të gjithë e bëjnë, sepse janë të detyruar. Kur vendosin për të bërë një investim të caktuar, ata reduktojnë shpenzimet dhe investimet në kompanitë e tjera për të mbledhur gjithë kapitalin e mundshëm për të investuar në atë që ai ka vendosur që do të jetë investimi kryesor i grupit të tij.
Të njëjtën gjë po bën Trampi në politikë. Ai ka një plan për SHBA, në përmasa të brendshme, por ka edhe një plan për SHBA-në në përmasa jashtë saj, dmth të politikës ndërkombëtare, apo afirmimit të SHBA si superfuqia e vetme globale.
Dhe po investon… Çdo burim të ardhurash (përfshirë tkurrjen e shpenzimeve) po e mbledh për investimin që ka ndërmend: Ta bëjë Amerikën të madhe përsëri”, vetëm që tani ai nuk është më thjesht biznesmen, por edhe një politikan i dorës së parë.
Çfarë po bën Trump?
BE-së, këtij mekanizmi të rëndë, ku çelësat për të hapur bravat, jo vetëm që janë shumë të rëndë, por duan edhe dakordësinë e të gjithë çelësmbajtësve, apo çelësrrotulluesve, ai po i bën diversionin më të madh të këtyre tri dekadave të fundit. Në rast se BE-ja deri tani e ka marrë si për të mirëqënë mbrojtjen dhe mbështetjen amerikane, tani e tutje ajo duhet të tundet e të shkundet e të marrë në dorë fatin e kontinentit të vet.
E çfarë bëri Trampi? I futi nja dy “shpulla” “kalamanit” të saj më të dashur, Zelenskit/Ukrainës, duke pritur reagimin e BE-së. Ndjesë për krahasimin, sepse unë e mbështes kauzën e ukrainasve që janë thjesht viktima të një lufte që as e deshën e as e nxitën. A do zgjohet BE-ja nga gjumi e të veprojë? Sa kohë do të marrë zgjimi i Europës nga gjumi me mendje të fjetur që kemi SHBA që na mbron? Kjo mbetet për të parë. Të parët që reaguan ishin Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Europa duhet të mbrojë veten dhe interesat e saj!
Trampi ka të tjera përparësi tanimë, ku duket që do të investojë. Po ua lë të tjerëve të merren me sherret e vogla, sepse me sa duket ka ndërmend të merret ekzkluzivisht vetëm me Kinën. Edhe Iranin ja ka lënë Izraelit. Lufta (me luftë nuk nënkuptohet vetëm therja e ushtarëve në betejë) do para dhe ai po mbledh para ethshëm. Amerika duhet të bëhet e para përsëri!
Manuali më i vjetër për luftën “Arti i Luftës”, që qëllon ta ketë shkruar kinezi Sun Tziu, përmend edhe diversionin si strategji thelbësore për të manipuluar dhe për të shpërqëndruar armikun. Trampi bëri një superdiversion duke ua bërë europianëve “mishin kokërr”, pas “shpullave” që i dha Zelenskit, që në fakt është i vetmi i pafajshëm në gjithë këtë histori. Natyrisht që ai nuk do të heqë dorë nga Europa, sepse SHBA pa Europën mbetet thjesht një ishull, ama një mësim të mirë ua dha europanëve të llastuar, që akoma nuk po e kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë dhe po vijnë rrotull duke hequr petalet nga lulja… më do…, s’më do…
BE-ja duke qënë se nuk e ndjen veten si një shtet i vetëm, nuk ka fuqi të vërtetë vepruese. Nëse BE-ja do të ishte më e centralizuar do të ishte sot një shtet me 450 milion banorë, kundrejt 335 milion që ka SHBA. Nëse do të futeshin në llogari edhe shtetet kandidate apo në proces, popullsia e saj do të arrinte në 600 milionë, pa llogaritur Rusinë që në mëngjes, kur lind dielli, bën pjesë në kontinentin europian, por në fund të ditës është shumë larg prej tij.
Europa duhet të mbledhë veten. Duhet të kuptojë që në fund mbetet e vlefshme ajo shprehja e vjetër: “dy duar për një kokë”. Diversioni i Trampit i ka lënë të çoroditur udhëheqësit europianë që mblidhen e mblidhen… por nuk po bëjnë dot në një mendje çelësmbajtësit apo çelësrrotulluesit e bravave të saj super të rënda.
Po ne? Kosova është drejtpërdrejt e kërcënuar nëse “kursimet” e Trampit arrijnë deri aty. Kosova duhet të armatosë veten urgjentisht! Shqipëria duhet të armatoset urgjentisht! Ashtu si Trampi të dy shtetet shqiptare duhet të lënë mënjanë çdo investim tjetër dhe duhet të armatosen!
Ky ishte mësimi më i madh që Trampi ju dha europianëve, përfshirë edhe neve shqiptarëve të vegjël, që nuk dimë të dalim tej intrigave të fshatit tonë, më të vogël edhe se ne vetë, që kujtuam se ajo historia që “t’i biem Amerikës, që të na pushtojë e të na mbajë me bukë” ishte e vërtetë.
Të mbajttë e jotja!
Rendi vjen nga Kaosi. Të mos e harrojmë këtë! A do mundemi ne shqiptarët e vegjël, por që mezi na nxë fshati ynë, të dalim të fituar pasi Kaosi të vihet në lëvizje?
Kjo është pyetja që na shtrohet sot!

Teodor Osoja _20 shkurt 2025

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit