Thursday, May 21, 2026
spot_img
HomeAktualitetiTridhjetë përqind e amerikanëve kanë aftësi leximore aq sa të një fëmije...

Tridhjetë përqind e amerikanëve kanë aftësi leximore aq sa të një fëmije dhjetë vjeç, ka komentuar për “Financial Times”…

Tridhjetë përqind e amerikanëve kanë aftësi leximore aq sa të një fëmije dhjetë vjeç, ka komentuar për “Financial Times” Andreas Schleicher, drejtori për arsim e aftësim në OECD.

Nga Arbër Zaimi

Në dhjetor 2024 OECD publikoi raportin “Adult Skills 2023”, i cili shpreh rezultatet e analituara prej 160.000 të intervistuarve nga moshat 15 e deri në 65 vjet, në 31 vende të zhvilluara të botës. Raporti synon të vlerësojë aftësitë leximore, numerike e ato për zgjidhjen e problemeve.

Ndër gjetjet e raportit thuhet se teksa përdorimi i internetit qe rritur, prej 76% në 2012 në 93% në 2023, aftësitë leximore e numerike përgjithësisht kishin rënë.

Aftësitë leximore janë rritur veç në Danimarkë e Finlandë, në pak vende kanë stagnuar e në shumë vende kanë rënë ndjeshëm, më së shumti në Poloni, Kore të Jugut, Zelandë të Re dhe Lituani. Aftësitë numerike janë rritur në vetëm tetë vende, me në krye Singaporin dhe Finlandën.

Çka duket interesante, është se shfaqet rënie e aftësive leximore edhe tek ata me arsim të lartë universitar. Prej të arsimuarve me arsim të lartë, vetëm Finlanda ka shënuar rritje të aftësive leximore, të tjerët rënie. Teksa është zgjeruar përqindja e atyre që arsimohen në universitet, është ulur edhe niveli mesatar i tyre, sa i përket aftësive shprehëse e kuptuese në shkrim e lexim.

Kjo ngre pyetje për universitetet dhe sistemin e arsimit të lartë sot. A po jetojmë në kohëra kur arsimi universitar është komercializuar dhe thjesht shpërndan mandate punësimi? Apo jetojmë në kohëra kur qeveritë janë të interesuara t´ua zënë kohën sa më gjatë me diçka të rinjve, meqë s´po u gjejnë dot punë?

Pabarazitë më të mëdha sa i përket shpërndarjes së aftësive leximore e numerike mes këtyre vendeve të OECD hasen në Singapor e SHBA. Si shembull, tridhjetë përqind e amerikanëve kanë aftësi leximore aq sa të një fëmije dhjetë vjeç, ka komentuar për “Financial Times” Andreas Schleicher, drejtori për arsim e aftësim në OECD. Praktikisht një në tre has vështirësi edhe në leximin e gjërave të thjeshta.

Pabarazia shfaqet edhe nga vendi në vend, psh. të intervistuarit me arsim të mesëm nga Finlanda (që është vendi me rezultate më të larta) vazhdimisht performojnë më mirë në teste se sa ata me arsim të lartë nga Kili, Izraeli apo Lituania.

Teksa ka vazhdimisht e sidomos në rrjete sociale predikues të injorancës, që thonë se s´ka ç´u duhen fëmijëve aftësitë leximore e numerike, sepse këto funksione i kryen lehtë e shpejt makina llogaritëse dhe inteligjenca artificiale, raporti i OECD shpjegon se hedhja e bazave të forta në këto fusha është përcaktuese për zhvillimin e personalitetit dhe suksesin e individit në jetë. Madje, sipas këtij raporti, ata që kanë aftësi të larta leximore e numerike shënojnë edhe 11 përqind më lart në gjasat për shëndet të mirë.

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments