Trump është i pandalshëm – Kërcënon BE-në me tarifa 200%!
Presidenti Trump po kërcënon të lëshojë një valë gjithëpërfshirëse tarifash, përtej çdo logjike tregtare, ndaj produkteve alkoolike me origjinë nga BE-ja dhe veçanërisht nga Franca.
Ky është një kërcënim për t’iu përgjigjur hakmarrjes së Bashkimit Evropian ndaj tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin, por çështja është se Donald Trump po e përshkallëzon në mënyrë asimetrike luftën tregtare, e cila mund të dalë jashtë kontrollit.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se administrata e tij do të vendosë një tarifë 200% për pijet alkoolike nga BE-ja, nëse ajo nuk shfuqizon tarifën prej 50% që qeveria evropiane vendosi për uiski amerikan të mërkurën.
“Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, Shtetet e Bashkuara së shpejti do të vendosin një tarifë 200% për të gjitha verërat, shampanjat dhe pijet alkoolike me origjinë nga Franca dhe vendet e tjera të përfaqësuara nga BE-ja”, tha Trump. “Kjo do të jetë e mrekullueshme për bizneset e verës dhe shampanjës në SHBA.”
Në fakt, ai e quajti BE-në “një nga autoritetet më armiqësore dhe abuzive të taksave dhe tarifave në botë, të krijuar me qëllimin e vetëm për të shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara” dhe e përshkroi tarifën hakmarrëse të vendosur ndaj burbonit amerikan si “të shëmtuar”.
Franca dhe partnerët e saj nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve të Uashingtonit, përgjigjet Parisi
Franca dhe partnerët e saj, si Bashkimi Evropian, nuk do të dorëzohen para kërcënimeve tarifore të SHBA-së dhe Franca do të mbrojë industritë e saj, tha sot ministri francez i Tregtisë, Laurent Saint-Martin, duke reaguar ndaj sulmeve të reja të presidentit amerikan.
“Donald Trump ka filluar të përshkallëzojë luftën tregtare që ai vetë zgjodhi të lëshojë. “Franca mbetet e vendosur të përgjigjet së bashku me Komisionin Evropian dhe partnerët tanë”, theksoi Saint-Martin në një postim në X.
“Ne nuk do t’i dorëzohemi kërcënimeve dhe do të mbrojmë gjithmonë industritë tona,” theksoi ai.
Në një përshkallëzim të ri në luftën tregtare globale, më herët gjatë ditës së sotme, Trump kërcënoi Francën dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian me tarifa 200% për të gjitha verërat dhe produktet e tjera alkoolike me origjinë nga vendet e bllokut evropian, nëse BE-ja nuk tërheq tarifën e re prej 50% që vendosi për uiski amerikan.
Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se do të vendosë tarifa hakmarrëse për 26 miliardë euro (28 miliardë dollarë) mallra amerikane, në fuqi muajin e ardhshëm, në përgjigje të tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin.
N.Dede _ Athinë
@NewsIn.Al