Turqia nuk është më ajo që ishte – dhe këtë ia bëri “përhajr” Trump
Ajo që dëgjova me veshët e mi nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë ishte e pabesueshme. Ajo që në fillim dukej si një takim diplomatik mes një aleati të fuqishëm të SHBA në Lindjen e Mesme dhe një presidenti të paparashikueshëm, u shndërrua në një zbulesë tronditëse për qëndrimet e fshehta ndaj Turqisë.
Trump bëri një vërejtje të ashpër dhe serioze ndaj Netanyahut për marrëdhëniet e tij me Turqinë. Më tronditës ishte fakti që vetë Netanyahu i kishte kërkuar Trump-it ta “ndalte” Turqinë! Po, pikërisht atë Turqi që dikur shihej si shtylla e NATO-s në Lindjen e Mesme, aleate strategjike e Perëndimit dhe gardiane e ekuilibrit mes botës arabe dhe Europës. Por përgjigjja e Trump ndaj kësaj kërkese ishte edhe më befasuese – ai bëri të qartë se për të, Erdogani nuk është thjesht një udhëheqës rajonal, por një figurë që ka ndryshuar rrënjësisht hartën gjeopolitike.
Trump deklaroi hapur se që nga ndërhyrja e Turqisë në Siri, ky shtet nuk është më ai që ishte. Sipas tij, Turqia ka kaluar një pikë pa kthim – tani është një aktor i drejtpërdrejtë në konfliktin sirian, dhe këtë e quan arritje të tij personale. Madje ai tha se për Turqinë, Siria është njësoj si Ankaraja apo Stambolli – një paralajmërim i fortë që Siria është kthyer në përparësi strategjike kombëtare për Turqinë, si një zgjatim i vetë territorit të saj.
Por ajo që më goditi më shumë ishte paralajmërimi i drejtpërdrejtë që Trump i bëri Bashkimit Europian: “Kini kujdes nga Turqia”. Një thirrje që nuk tingëllonte thjesht diplomatike, por alarmante – në një kohë kur marrëdhëniet BE-Turqi janë më të tensionuarat në dekada.
Ajo që dëgjova sonte nuk është një thënie e zakonshme. Ajo mbart një peshë të madhe gjeopolitike: Turqia nuk është më “ajo që ishte” – as për Amerikën, as për Izraelin, as për Europën. Ajo tashmë sillet si një fuqi rajonale me ambicie të qarta neo-osmane, dhe kjo ka filluar të tronditë ekuilibrat tradicionalë të Perëndimit.
Sonte ishte një natë e rëndë për reflektim. Nesër në mëngjes, nëse Zoti do, do përpiqem të bëj një video dhe t’i shpjegoj të gjitha këto zhvillime me më shumë qartësi, sepse ajo që u tha sonte nga dy ndër figurat më të forta politike të dekadës së fundit nuk është aspak një detaj. Është një nga ato momente që ndajnë historinë në “para” dhe “pas”.
Av. Edmond Petraj
@NewsIn.Al

