Alban Dervishi, me origjinë shqiptare, ka marrë zyrtarisht komandën e anijes amfibe USS Pearl Harbor, një prej mjeteve strategjike të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ceremonia e ndërrimit të komandës u zhvillua në San Diego, Kaliforni, duke shënuar një arritje historike në karrierën e tij ushtarake.
Lajmi u përshëndet edhe nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm dhe frymëzues.
Karriera e Dervishit në Marinën Amerikane nisi që në moshën 18-vjeçare. I rritur në një familje me traditë ushtarake, ai u ngjit me përkushtim dhe profesionalizëm në hierarkinë e forcave detare amerikane, duke arritur sot në një nga pozicionet më prestigjioze: komandant i një anijeje luftarake me rol kyç në operacionet amfibe dhe ndërhyrjet globale.
USS Pearl Harbor është pjesë e flotës strategjike të SHBA-së dhe luan rol të rëndësishëm në misione ndërkombëtare. Fakti që sot komandohet nga një shqiptar, është dëshmi se puna, talenti dhe integriteti nuk njohin kufij.
Një arritje që flet për përkushtimin individual, por edhe për kontributin e diasporës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
@NewsIn.Al
