Thursday, August 6, 2026
spot_img
HomeAktualitetiVendosja e taksave mbi importet dhe Presidenti Trump, apo Presidenti dhe taksat?

Vendosja e taksave mbi importet dhe Presidenti Trump, apo Presidenti dhe taksat?

Pas njoftimit të politikës doganore të SHBA, e cila nuk është e përgjithshme, por ndryshon për çdo vend, të gjithë bota tregtare dhe politike është në panik. Ka hyrë në një fazë, e cila është kalimtare dhe kaotike, ku thuajse askush nuk e di rezultatin përfundimtar, dhe theksoj “përfundimtar”.

Dënime dhe hakmarrje. A është kjo receta e duhur? Do ta mësojmë. Situata kërkon qetësi, diçka që nuk e karakterizon tregun financiar, pasi kompanitë importuese dhe eksportuese, varësisht nga rasti, do ta përjetojnë këtë menjëherë. Po, menjëherë dhe në dy nivele. Një është qarkullimi i tyre dhe fitimet, dhe e dyta është vlera e tyre, apo më saktë vlera e tregut të aksioneve të tyre, e cila është drejtpërdrejt e lidhur me aksionerët dhe investitorët e tyre. Nuk do të hy në detaje më të thella, sepse ndryshe, njerëzit e thjeshtë nuk do ta kuptojnë.

Pse e rriti Presidenti Trump taksat doganore për importet? A është ai i çmendur dhe impulsiv, apo ka arsye prapa kësaj?

Nuk është i çmendur njeriu. Është e njohur, për ata që janë të informuar, se shumë dekada tashmë shumica e prodhimit amerikan është zhvendosur jashtë vendit. Prandaj, SHBA-të po “dëmtohen” ekonomikisht dhe tregëtarisht. Rroba, këpucë, pajisje, produkte elektronike dhe shumë të tjera prodhohen jashtë, duke krijuar një defiçit në bilancin tregtar që, megjithatë, nuk duket për shkak të prodhimit dhe eksporteve të mëdha të industrisë mbrojtëse dhe masave të saj të jashtëzakonshme.

Problemi nuk është i përgjithshëm, por i veçantë, sepse prek çdo vend ose grup vendesh ndaras.

Veprimi do të sjellë reagim, i cili ka filluar tashmë. Ku do të çojë kjo? Me fjalë të thjeshta, kjo do të çojë në rritjen e kostos, rritjen e çmimeve, rritjen e kostos së jetesës dhe, si pasojë, rritjen e inflacionit. Ky i fundit do të shkatërrojë të ardhurat e njerëzve dhe natyrisht do të rriten normat e interesit, normat e kredive etj., dhe në fund në reçesion.

Ajo që është e mira ose e keqja këtu është se çdo vend do të ketë intensitet të ndryshëm në problemet e tij, pasi politika e taksave doganore është individualizuar, por një gjë është e përbashkët: ai që do të paguajë faturën do të jetë qytetari, njeriu, familja.

SHBA, pas kaq shumë vitesh që prodhojnë jashtë, krijuan “gjigandë ekonomikë” dhe këta gjigandë janë shumë të fuqishëm sot.

Është thuajse e sigurt se në një luftë tregtare të tillë do të ketë vetëm të humbur, por i humburi më i madh do të jetë njeriu, sepse ai do të jetë i vetmi që do të paguajë gjithë faturën pa pasur pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vendimet, pra ata do të vendosin për mua, pa mua.

Për ekonominë shqiptare nuk do të ketë ndikim të rëndësishëm, sepse volumi i transaksioneve me SHBA-në nuk është i madh dhe nuk shkakton shqetësime të mëdha. SHBA-ja nuk ka qenë kurrë një partner i rëndësishëm tregtar, siç është BE, Turqia etj.

E gjitha kjo është shkruar para se të shembeshin vlerat e aksioneve në bursat financiare. Një shije e kemi marrë dhe situata vazhdon të jetë kritike dhe disi kaotike, sepse nuk kanë përfunduar ende reagimet e shteteve të tjera.

SHBA do të marrë gjithashtu një mësim, sepse duhet të kuptojnë se ditët e dominimit të jashtëzakonshëm kanë kaluar dhe nuk kthehen mbrapsht, pavarësisht se sa ekspertë do të mbledhë për këtë çështje.

Për momentin duket se po shkojmë drejt fundusit të pusit, dhe kjo ka të bëjë me të gjitha fuqitë ekonomike të planetit. Një “luftë” ekonomike çon në rezultate më të këqija, ndoshta edhe më të këqija se një luftë ushtarake. Jo, nuk do të kthehemi pas në vitin 1929-1930 të Amerikës. Nuk dua ta besoj dhe e shpresoj që të mos ndodhë. Megjithatë, ekonomitë e vogla dhe të dobëta, si e jona, duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe të gatshme për të rishikuar politikat ose strategjitë, në sektorin ekonomik gjithmonë.

Çfarë të bëjmë? Të dëgjojmë dhe të presim, duke shpresuar për fat të mirë.

Les Miserables

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments