KreuKulturë / ArtVersion i ri i fabulës ezopiane, Dhelpra dhe rrushi

Version i ri i fabulës ezopiane, Dhelpra dhe rrushi

Version i ri i fabulës ezopiane,
Dhelpra dhe rrushi

E uritur, e drobitur
Barku me kurrizin ngjitur
U nis dhelpra çalë, çalë
Ca ushqim të gjejë, ta hajë

Ec dhe ec me këmbët zvarrë
Sytë katër për të parë
Pule a gjel a çfarë të jetë
Veç mos ngrejë këmbët përpjetë

Ndritin sytë si të bufit
Kur shikon vreshtin e rrushit
Gojës rrjedh e fundit jargë
Tek kërcen rrushin ta kapë

Hera e parë i shkon hyq
Po kështu dhe hera e dyt’
“Tash e treta, e vërteta”
Tha dhe hopa hidhet dhelpra

Ulëret sa vreshti tundet
Kur një hu në trup i ngulet
Kur dëgjon një zë njeriu
Gjaku menjëherë i ngriu

Sa hap sytë ç’të shikojë
Është gjallë, pra do rrojë
Një njeri i mjekon plagën
Dhe i sjell me ushqim pjatën

“Po të fal kët’ herë, moj dhelpër
Por në ardhsh herë tjetër
E di mirë se ç’të pret
Kur të tjetrit pronë vjedh”

“Ha, ha, ha”, gajaset dhelpra
“Qenke mjeshtër në gënjeshtra
Dikur vreshti s’ishte i joti
Dhe s’do jetë mot pas moti
Do të kthehet tek pronari
Tek ai që e kish’ i pari
Dhe i pari ndër të parë
Ish’ stërgjyshi im, ndjesë pastë
Mos u mburr me gjënë e tjetrit
Se të pret flaka e ferrit”

“Po ti qenke shkuar dhelprës
Ja kaloke dhe gënjeshtrës
Dhe stërgjyshes ja paske kaluar
Kur tha, “s’bëjn’ këta rrush për mua”
Si të t’vras, si mos të t’vras
Zor të vritet ky avaz
Për një s’bëjnë, kur s’i arrin
Për një tjetër, janë pronë e tij”

@Edmond-Andrea Shallvari

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit