Vranë kalin me çifte në Kolonjë…vjen reagimi i Drejtorisë së Policisë në Korçë
Farma Sotira Agroturizëm:
-Kalin tonë Balashin, e vranë ne zonen e Shelegurit me çifte persona që nuk e dinë çfarë është dashuria për kafshët, dhimbja për ne është e pa imagjinueshme.
Kemi vite që me shumë sakrifica, me shpirt nëpër dhëmbë, mundohemi ta zhvillojmë turizmin, të sjellim mijëra miq në këtë zonë të bukur por dhe pothuajse të braktisur.
Me qëllimin e vetëm për të ndërtuar një jetë për familjen tonë dhe për të frenuar sadopak shpopullimin e këtyre vendeve të mrekullueshme.
Po bëhet çdo ditë dhe më e vështirë por ne nuk dorëzohemi kurrë.
I lutemi organeve përkatëse ta zbardhin dhe dënojnë ngjarjen, por edhe juve miq tna bashkoheni, sepse kjo ngjarje kërkon dënim dhe nga opinioni publik.
Ja dhe reagimi i Drejtorisë së Policisë
Kolonjë/Sqarim
Në lidhje me një rast të publikuar në rrjete sociale, në të cilin shfaqet një kafshë pune (kalë) e vrarë me armë gjahu, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje, referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. M., 24 vjeç, banues në fshatin Shelegur, Kolonjë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 26.01.2023, gjatë natës, në fshatin Shelegur, ka vrarë me armë gjahu 1 kafshë pune (kalë) dhe ka plagosur 1 tjetër kafshë, te dyja në pronësi të shtetasit J. H.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërive, duke u siguruar reagim të shpejtë dhe të paanshëm, kundrejt shkelësve të ligjit.
@NewsIn.Al

