Vrau 34-vjeçarin në Has/ Ylber Jaku: Jam britanik, dua ambasadën angleze në seancë
I ndaluari ka shprehur mosbesim ndaj drejtësisë shqiptare dhe ka kërkuar që në proces të jetë i pranishëm një përfaqësues i Ambasadës Britanike, duke theksuar se është shtetas britanik, ashtu si edhe familja e tij.
Avokatja e tij, Aurora Guska, sqaroi se konflikti ndërmjet familjes së Jakut dhe asaj të viktimës ka nisur prej më shumë se 20 vitesh dhe lidhet me një rrugë që kalon pranë banesës së të dyshuarit. Sipas saj, institucionet shqiptare kanë dështuar të zgjidhin këtë përplasje, e cila është përshkallëzuar në dhunë dhe, së fundmi, në një ngjarje tragjike.
Avokatja tregoi se prindërit e Jakut ishin plagosur gjatë një përplasjeje të dhunshme ku dyshohet se ishte përfshirë edhe motra e viktimës.
I shqetësuar për gjendjen e tyre, Jaku kishte shkuar në Spitalin e Traumës për t’i vizituar dhe, pas kësaj, ishte larguar, kishte fikur telefonin dhe më vonë ishte dorëzuar vetë në polici pa bërë rezistencë.
Sipas deklarimeve të saj, babai i Jakut kishte kontaktuar disa herë Policinë për të sinjalizuar rrezikun e një konflikti të rëndë, por asnjë masë parandaluese nuk ishte marrë nga autoritetet.
Në seancën gjyqësore, Jaku refuzoi të japë dëshmi dhe tha se nuk pranon përfaqësim nga shteti shqiptar, duke theksuar se kërkon një përfaqësues të shtetit britanik në procesin gjyqësor. Sipas tij, neglizhenca e institucioneve shqiptare ndaj një konflikti të hershëm e ka çuar situatën në këtë përfundim tragjik.
@NewsIn.Al

