ZAI YNË!
S’ka ca ditë që në Korçë u përurua busti i Zai Fundos. Bash te ish shtëpia e vet. Bash në pedonalen e bukur. Me shikim nga Morava. Si vështrim në largësi.
Jo vetëm vepra e Adi Dules, që është art i vërtetë, por biografia e Zait e zbukuron sheshin që tashmë ka emrin e tij. Është dhe si një pendesë qytetare ndaj harresës, mohimit dhe shpifjeve zyrtare ndaj tij. Korça duket më e plotësuar, më e ngrohtë që në gji futi birin e vet.
E qysh atë ditë halabakëria filluan të hedhin stërkala pështyme, shfaqje të trillimeve që jetuan ndër dekada. Si vullnetarët e Enverit u dhanë jetë shpifjeve. Nuk e dinë të mjerët se Zai është evropianisti i parë shqiptar, nuk e dinë që militoi mes ajkës të së majtës evropiane, nuk e dinë që qe antifashist në bindje dhe në luftë, nuk e dinë që u internua si i tillë në ishujt e Italisë, nuk e dinë që figura e këtij kollosi bëri xheloz vetë Enverin i cili pa iu dridhur fare dora shkroi:”Të vritet pa gjyq”. E kështu ndër vite e vite shqiptarët u ushqyen me dokrra, me shpifje e demagogji. Po e vërteta si lulja, mbin edhe në shkëmb.
Tashmë biri i qytetit fle në Korçën e tij. I nderuar thuajse nga të gjithë. I përfolur nga monstrat që nuk kujtohen akoma të heqin nga rrugët e qytetit emrat:”Mbledhja e Beratit”, “Kongresi i Përmetit”, “Konferenca e Labinotit”…
Në qytet akoma dremitin nostalgjikët. Që nuk dinë gjë për madhështinë e Zai Fundos. Ashtu si biseda në Sovjan për Pavarotin. Dikush qe entuziazmuar që e kish parë në tv. Ata te kafeneja e fshatit ia hodhën poshtë duke thënë:
-Të na rrojë Bakja ne që me fizarmonikë na gëzon në dasma.
Zai Fundo u “rregjistrua” sërish në gjendjen civile të Korçës. Qytetit iu shtua edhe një mendimtar.
Agim Xhafka
@NewsIn.Al
