KreuKulturë / ArtZamira Kita: “MIK Festival” sa vjen dhe lartëson vlerat e tij, sepse...

Zamira Kita: “MIK Festival” sa vjen dhe lartëson vlerat e tij, sepse vijnë artistë të njohur

Zamira Kita: “MIK Festival” sa vjen dhe lartëson vlerat e tij, sepse vijnë artistë të njohur

“MIK Festival” nis këtë mbrëmje në Korçë. Festivali i muzikës ndërkombëtare i ideuar dhe drejtuar nga sopranoja e njohur Inva Mula, në edicionin  gjashtë këtë vit e kthen Korçën në destinacionin kulturor të fundjavës dhe do të vazhdojë për tri net rresht për publikun. Zamira Kita drejtoreshë e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë thotë se dhe këtë vit në festival marrin pjesë artistë të njohur të huaj dhe shqiptarë. Ajo tregon se koncerti i parë i festivalit do ti kushtohet artistes Jorgjie Truja.

“Ky festival sa vjen dhe lartëson vlerat e veta, sepse vijnë artistë shumë të njohur dhe të mirë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë Shqipërie. Ky festival i rikthen në Shqipëri, ndërkohë me ta bashkohen dhe shumë artistë të tjerë shqiptarë, që tashmë e kanë ndërtuar karrierën këtu dhe jo vetëm. Nata e parë e festivalit iu kushtohet familjeve korçare, kontributit të tyre në art dhe kulturë. Artistes Jorgjie Truja do t’i kushtohet nata e parë e festivalit. Të gjithë materialet, që do të interpretohen kanë lidhje me Jorgjie Trujën”, tregon Kita për festivalin që nis këtë mbrëmje në Korçë. Festivali do të zhvillohet në datat 28, 29 dhe 30, por drejtoresha e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë Zamira Kita tregon se “MIK Festival” vjen me një program të pasur. Ajo tregon se në festival do të jetë dhe një aktivitet të dielën në mëngjes tek kisha e Ristozit në Mborje. “Zakonisht kemi lëvizur dhe kemi shkuar në fshatin Rehovë, kemi organizuar aktivitet në Voskopojë, kemi organizuar në Prespë aktivitet te ishulli i Malingradit, por kësaj here jemi spostuar në Mborje, ku në oborrin e kishës do të luhet një koncert shumë interesant. Dhe në mbrëmje të dielën ne do të kemi një risi, një ambient shumë i bukur në Korçë që njihet tek vaskat e peshkut, ku do të organizohet një infrastrukturë moderne shumë e bukur për një koncert, që do t’i shkojë shumë asaj zone. Një koncert, që janë të gjithë brenda muzikës klasike tradicionale, një koncert që i shkon shumë “MIK Festival”, tregon Zamira Kita drejtoreshë e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë

Programi në festival

Gjashtë koncerte të ndryshme përbëjnë një “spektakël muzikor” tërheqës me vepra të A. Dvo?ák, G. Puccini, M. Ravel, F. Schubert, Schumann, C. Saint-Saens, Xh. Rossini, por edhe nga Mikis Theodorakis, G. Dendrino, Grouya, Kristo Kono, Avni Mula, etj. Solistë nga vende të ndryshme të botës në Korçë, duke prezantuar talentin dhe aftësitë e tyre para publikut artdashës, që vjen për t’i parë. Këtë mbrëmje hapja e  festivalit në teatrin “A. Z. Çajupi” me një koncert kushtuar jetës dhe veprës të muzës së parë shqiptare Jorgjie Truja- Filçe. Interpretojnë solistja e TKOB dhe Operas së Sofjes, soprano Ramona Tullumani dhe përshëndet tenori korçar Gjergji Mani. Në piano i shoqëron pianistja e TKOB Ingrid Pulizo, e cila përbën një “rrëfim okular” të historisë së muzës së parë, pasi e takuar atë nga afër në fillimet e saj dhe ka fituar edhe festivalin që mban emrin e saj. Një udhëtim i rrallë live nëpër kohë nën drejtimin e vetë të madhes Inva Mula. Në orën 21:30 në Sheshin e Pazarit zhvillohet koncerti “Aroma Greke”  kushtuar 98-vjetorit të lindjes së kompozitorit grek “Mikis Theodorakis”, ku do interpretojë pas kohësh këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit Grek Kalliopi Vetta, një nga bashkëpunëtoret e fundit të kompozitorit. Të shtunën zhvillohet koncerti spanjoll “Nën ritmin e hapave të Flamenkos” në teatrin e Korçës “A.Z. Çajupi” me artistët katalanas Alba Bioque, Jeronimi Maya, Violetta Barrio, David Domingues. Te Sheshi i Pazarit në vijim zhvillohet koncerti  “La Notte Italiana” me Orkestrën Simfonike të FA të drejtuar nga maestro Elda Laro. Të dielën në mesditë në fshatin Mborje zhvillohet koncerti “Aty ku takohen shpirti, muzika dhe gastronomia” në pararojë të kishës “Ristozi” që daton nga viti 1390 me arie antike dhe psalme bizantine, ndërsa në orën 19:00 do të ketë një koncert në fshatin Drenovë.  “Një ditë shkova nga Drenova” një koncert shqiptaro-rumun me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura nën drejtimin e Maestro Elda Laro. Interpretuar nga tenori Korçar që vjen nga Rumania Gjergji Mani dhe sopranoja rumune  Ionela Mani. Pjesë është dhe klarinetisti i njohur nga Shqipëria, që vjen nga ana tjetër e oqeanit Igli Tuga.   (Julia Vrapi, Sot)

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit