Zgjedhjet 2025/Tirana, qarku përcaktues për mazhorancën e ardhshme
Gjatë tre dekadave të fundit, historia politike e Shqipërisë është shkruar në Tiranë, qyteti më i madh i vendit, epiqendra e rinisë së kombit. Në vitin 1991, vendimi i banorëve të një lagjeje në Tiranë për të rrëzuar me votë udhëheqësin e fundit komunist Ramiz Alia, në një betejë maxhoritare përballë një kandidati pak të njohur të opozitës së sapokrijuar, pati rol vendimtar në dënimin me vdekje të një regjimi i cili, në ato zgjedhje, arriti të fitojë sërish mbi 75 për qind të votave.
Në Qarkun Tiranë në zgjedhjet e kaluara janë hedhur 485 mijë vota ndërsa numri i votave me gjasa do të rritet më tej këto zgjedhje, pasi 52 mijë qytetarë kanë kërkuar të votojnë nga emigrimi për këtë qark.
Nisur nga këto shifra, pra luhatja e votave të Partisë Demokratike gjatë dy zgjedhjeve të fundit kur PS ka qenë në qeveri si dhe votave të hedhura “të bardha”, hamendësimi është që një elektorat gri prej se paku 70 mijë vetësh ekziston në Tiranë, mjaftueshëm këta për të prodhuar pesë apo më shumë mandate. Elektorati gri supozohet se duhet të jetë shtuar gjatë viteve të fundit…
Maxhoranca më e madhe në Shqipëri përbëhet, sipas sistemit aktual të votimit proporcional në qarqe, nga tre apo katër deputetë mbi kuotën 70. Dy partitë e mëdha po garojnë aktualisht në kushtet e konsumimit ekstrem nga skandalet e panumërta korruptive, përballen me vetveten më shumë se sa me njëra-tjetrën. Dhe, nëse 10 apo 20 për qind e këtyre votuesve zgjedhin të votojnë ndryshe, asnjë nga palët nuk do të jetë në gjendje të krijojë një maxhorancë e vetme, pavarësisht se si del rezultati në qarqet e tjera. Partitë e vogla, Nisma Shqipëria Bëhet, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë kanë deklaruar sakaq qëllimin e tyre, moskrijimin e një koalicioni qeverisës me ndonjë nga dy partitë e mëdha dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, ku qytetarët do të kenë mundësi sërish të votojnë, e ndoshta të votojnë më shumë për partitë e reja, gjë që hap perspektivën për një ndryshim rrënjësor politik, fundin e duopolit PS-PD dhe krijimin e një tabloje politike më të larmishme, një në të cilën shqiptarët nuk do të jenë më nevojë të votojnë, siç kanë bërë përgjatë tre dekadave të fundit, për të rrëzuar një qeveri të korruptuar për ta zëvendësuar me një tjetër, me shpresë se kjo tjetra do të jetë më pak e korruptuar.
Zgjedhjet e 11 majit mundet gjithashtu që, duke u nisur nga Qarku Tiranë, politika e klientelizmit, e cila është fosilizuar përgjatë dy dekadave të fundit, me vendet e punës në administratën publike të përdorur për ryshfet elektoral apo për shantazh të votuesve, të fillojë të thyhet dhe po kështu, politika e kontrolluar nga kryetarët, me deputetë të emëruar dhe jo të zgjedhur.
Shumë gjëra do të varen nga zgjedhjet e së dielës. Nëse partitë e vogla nuk arrijnë të çajnë, dy të mëdhenjtë mundet që, përgjatë katër viteve të ardshme, të bien dakord për ndonjë ndryshim tjetër në sistemin zgjedhor për ta bërë edhe më të vështirë garën për partitë e vogla apo forcat e reja politike.
@NewsIn.Al

