Zhaneta Andrea, gruaja e parë arkeologe në Shqiperi.
Prof. Zhaneta Andrea lindi në qytetin e Korçës më 22.03.1937, në një familje intelektualësh dhe patriotike korçare. Studimet fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, vijoi studimet universitare në Fakultetin Histori-Filozofi, dega Arkeologji, pranë Universitetit të Sofies, në Bullgari. Në vitin 1962 ajo iu bashkua grupit të parë të arkeologëve shqiptarë dhe ishte ndër ta e para grua që i dedikoi jetën akademike kërkimeve mbi prehistorinë shqiptare.
Aktiviteti i saj kërkimor përbën një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm, i cili ka përfshirë një gamë të gjerë temash kërkimore, duke filluar nga vendbanimet e Neolitit tek ritualet mortore të periudhës së Bronzit dhe të Hekurit. Puna e saj e palodhur në terren është shtrirë në një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë, përmes pjesëmarrjes dhe drejtimit të një sërë ekspeditash arkeologjike, nga veriu në jug të vendit, si: vendbanimi i Zagorës në Shkodër, vendbanimet shpellore të Blazit dhe Nezirit në Mat, varreza tumulare e Bujanit në Tropojë, vendbanimi neolitik i Cakranit në Fier, nekropoli i Gërmenjit në Lushnje, tuma e Cerrujës në Gramsh. Korça e saj do zinte një vend të rëndësishëm të punës kërkimore. Në vitet ‘60 ajo kreu ekspedita informative në rrethin e Korçës, dhe vijoi më pas me pjesëmarrjen në gërmime në vendbanimet e Podgorisë dhe Maliqit dhe me drejtimin e gërmimeve në disa varreza tumulare të prehistorisë së vonë, në Barç, Kuç i Zi dhe Shuec, të cilat u kurorëzuan me botimin në vitin 1985 të monografisë me titull “Kultura ilire e tumave në Pellgun e Korçës”.
Zhaneta Andrea është autore e një numri të shumtë artikujsh shkencorë, të botuar brenda dhe jashtë vendit, duke mbetur kështu një referencë e rëndësishme për studimet prehistorike të Shqipërisë. Kontributi i profesoreshë Andreas spikat për seriozitetin, punën sistematike dhe rigoroze, duke e veçuar atë si një model të kërkuesit skrupoloz, që do lërë gjurmë të thella në studimet për prehistorinë shqiptare.
U nda nga jeta më 14 Tetor 2022
Piro Dhame_ Në Korçën tonë
@NewsIn.Al

