Profesor TOMI STEFANLLARI
KAMPIONI QË RRITI KAMPIONË
Ishte shtatori i vitit 1965 kur Tomi Stefanllari vendosi rekordin e parë kombëtar në garat e 200 m, përkatësisht me kohën 22.1 sekonda. Pas një viti ky atlet spektakolar do të thyente edhe rekordin e 100 m, përkatësisht me kohën 10.6 sekonda.
Tashmë atletika shqiptare kishte Mbretin e vet, Tomin. Ai sfidoi të gjithë rekordmenët dhe kampionët e asaj kohe duke thyer mitet dhe tabutë e atëhershme në vrapimet 100 m dhe 200 m.
Si trajner i suksesshëm ka nxjerrë xhevahire të atletikës shqiptare si Alma Thano e cila në mars 1982 theu rekordin kombëtar të 100 m me kohën 11.7 sekonda. Po ashtu të madhin Kastriot Sulçe të vrapimeve 200 dhe 400 m, me rekordet respektive 21.6 dhe 48.2 sekonda. Gjithashtu të mirënjohurin Kristaq Lipe, Pandush Cale e plot të tjerë pasioni dhe profesionalizmi i trajnimit të tij i gdhendi përgjithmonë me gërma të arta në historinë e Atletikës shqiptare.
Do të kujtohet edhe si trajneri që zbuloi kampione edhe në atletikën e vajzave, të cilat i dhuruan shumë trofe SKËNDERBEUT. Duhet të theksojmë se në vitin 1983 SKËNDERBEU zuri vendin e parë në aktivitetet kombëtare të atletikës për femra. Ku padyshim Alma Thano u bë një nga protagonistet kryesore që së bashku me atletet e tjera si Kaçiroti, Tole, Hoxhalli dhe mè vonë kampionen absolute Pavlina Evro, Menkshi, Sina etj, kontribuan fuqishëm me rezultatet e tyre mbresëlënëse për vendosjen e SKËNDERBEUT në krye të klasifikimit.
Duhen përmendur edhe sukseset në spartakiada, ku si fryt i një pune tepër të organizuar dhe të disiplinuar fuqishëm, konkretisht në Spartakiadën V kombëtare, Thano i solli qytetit dy medalje të arta.
Tomi Stefanllari pasi bëri me mjeshtëri rolin e sportistit dhe trajnerit, po ashtu përmbushi po kaq mirë edhe rolin e zyrtarit të sporteve korçare. Për sa kohë ai ishte inspektor dhe kryetrajner i atletikës, solli metoda stërvitore që nuk ishin parë në sportin tonë.
Vitet e fundit jetonte së bashku me familjen në SHBA, në Florida ku ndërroi jetë në 23 Janar të 2022.
Por Korça nuk do ta harrojë kurrë këtë kryeatlet, kryetrajner, kryespecialist të atletikës dhe sportit korçar. Nuk do ta harrojnë ata që e njohën së afërti, nxënësit, kolegët, tifozët që mbushnin tribunat kryesore të stadiumit për të ndjekur me pasion edhe atletikën. Nuk do ta harrojnë brezat e rinj, por edhe ata që do vijnë. Sportistë si Tomi janë krenari për çdo gjeneratë dhe model frymëzimi.
Nuk e harrojnë jo… pistat e dheut
këtë yll të SKËNDERBEUT,
nuk e harron jo… as stafeta
kush nxjerr yje si raketa !!!
I PËRJETSHËM PËRGJITHMONË PROFESOR TOMI !
FORCA SKËNDERBEU !

FORCA KORÇA JONË !
*Tomas Menkshi*
@NewsIn.Al

