Wednesday, June 24, 2026
spot_img
HomeAktualitetiPushtimi i Korçës/ 7-prill i 39-ës mos ardhç kurrë!

Pushtimi i Korçës/ 7-prill i 39-ës mos ardhç kurrë!

7-prill i 39-ës mos ardhç kurrë!

Pushtimi fashist i Korçës (fakte interesante)

Në datën 6 prill 1939, pas mitingut madhështor që u bë në sheshin para monumentit të Ushtarit të Panjohur, në qendër të qytetit të Korçës, gjithë të rinjtë që kishin dalë vullnetarë për të luftuar hipën në kamiona të shoqëruar me brohoritje nga qindra demonstrues dhe u nisën drejt zonave të bregdetit. Ditën e nesërme ata u kthyen, sepse u mor vesh që Italia fashiste kishte zbarkuar në Durrës.
Më datën 7 prill 1939, trupat ushtarake italiane zbarkuan në brigjet tona dhe e pushtuan Shqipërinë. Edhe pse kishin kaluar dy ditë, në Korçë, thundra e tyre ende nuk kishte shkelur. Më datën 9 prill 1939, në mesditë, në qiellin e kthjellët të qytetit u dukën aeroplanët e parë ushtarakë, që fluturonin të pashqetësuar nga askush. Mbas disa xhirosh mbi qytet, u ulën në fushën e vetme të aviacionit që kishte Korça, në Lumalas. Mjaft kureshtarë, të befasuar nga kjo ngjarje e papritur, shkuan për të parë se ç’po ndodhte. Për çudi, nga njëri prej aeroplaneve, që tashmë ishte ulur në fushë, doli një oficer madhor, trupmadh, i cili duke ngritur dorën e djathtë për të nderuar sipas mënyrës fashiste, qeshte. Të gjithë shtangën në vend, sepse kur oficeri u afrua drejt kureshtarëve, panë që ishte një person i njohur në Korçë me emrin Lison. Në kohën e mbretërisë Zog, Lisoni merrej me organizimin dhe drejtimin e sportit me të rinjtë korçarë. Dikur inspektor sporti, Lisoni, tashmë po vinte në Korçë si triumfator, si oficer madhor i ushtrisë okupuese italiane me gradën major.
Në qytetin e Korçës, ushtria italiane hyri me 10 prill 1939, kryesisht nëpërmjet tokës nga rruga Durrës-Elbasan-Korçë. Ditët e para të pushtimit, krahas dëshpërimit dhe urrejtjes që ndjenin, korçarët prisnin me ankth se si do të silleshin ushtarët me popullin, çfarë qëndrimi do të mbanin organet e pushtetit lokal dhe ato fashiste. Por dhe vetë pushtuesit ishin të shqetësuar të dinin se çfarë qëndrimi do të mbante populli ndaj tyre. Megjithëse “fitimtarë”, ata s’kishin siguri për ditët që i prisnin mbas pushtimit. Kjo ishte një nga arsyet që disa ditë pas ardhjes në Korçë, ushtarët italianë u mbyllën në gazerma, gjithmonë në gjendje gatishmërie dhe nuk u jepej liridalje për të parë qytetin dhe për të marrë kontakt me popullin. Të parët që dolën në qytet ishin karabinierët, të cilët me kokën lart, plot pompozitet, patrullonin në rrugët kryesore.
Komunikimi i korçarëve me ushtarët italianë ishte shumë i vështirë, për arsye se nuk e dinin gjuhën e njëri-tjetrit. Në fillim, bashkë me fjalët, secili në gjuhën e vet, përdorte dhe gjuhën e gjesteve e të shenjave. Në përbërjen e ushtarëve italianë kishte dhe me origjinë nga Kalabria, që flisnin shqip, por të folurit e tyre dialektor ishte i vështirë për t’u kuptuar.
Ditët e para të pushtimit, italianët mbajtën qëndrim korrekt dhe tregoheshin të sjellshëm. Ndërmjet ushtarëve kishte nga ata që shprehnin keqardhjen për pushtimin e Shqipërisë, por dhe nga ata që provokonin, hiqeshin si të penduar, përparimtarë, e me këtë sjellje donin të depërtonin në popull, të masnin pu¬lsin e qytetarëve e me vonë të hynin midis organizatorëve që do të drejtonin demonstratat dhe rezistencën popullore.
Për të zbehur dhe topitur ndjenjat patriotike të korçarëve, italianët i dhanë një rëndësi të madhe propagandës. Qëllimi i parë i tyre ishte të krijonin bindjen se Italia kishte ardhur në Shqipëri, jo për ta pushtuar atë, por për ta zhvilluar ekono¬mikisht. Fillimisht, kjo propagandë pati efektet e saj në disa njerëz të thjeshtë, sepse u shoqërua me lehtësira dhe përfitime ekonomike, e sidomos për ata që bëheshin zëdhënësit e saj. Kështu, pati nga ata që u regjistruan anëtarë të partisë fashiste ose të organizatave që udhëhiqeshin prej tyre si, “Dopolavoro”, “Xhovanofashista” etj, por që shpejt, edhe kësaj propogande i doli boja dhe korçarët u përfshinë të gjithë në Luftë (P. Z, “Polikron Trebicka, krijimtaria historike letrare”, viti 2011, fq. 247-249).

prof. Alket Dino

@NewsIn.Al

 

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments