Wednesday, June 24, 2026
spot_img
HomeAktualitetiKujtojmë në ditën e lindjes regjisorin e shquar, korçarin Viktor Gjika

Kujtojmë në ditën e lindjes regjisorin e shquar, korçarin Viktor Gjika

Kujtojmë në ditën e lindjes regjisorin e shquar Viktor Gjika

Më 23 qershor të vitit 1937 lindi në Korçë regjisori dhe skenaristi i shquar Viktor Gjika.

Studimet e larta i kreu në Moskë, ku studioi së bashku me Dhimitër Anagnostin, për kinooperator. Së bashku, ata kryen temën e diplomës, filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejit, me të cilin fituan Çmimin e Madh në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, në vitin 1961.

Pas rikthimit në atdhe Gjika u shfaq si regjisor dhe skenarist duke dhënë disa nga veprat më me peshë të kinemasë shqiptare si: “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral Gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, “Komisari i dritës”, “Përballimi”, “Në çdo stinë”, “Vjeshtë e nxehtë e ’41” dhe “Unë jam Ismail Qemali”. Krahas filmave artistikë ai lëvroi edhe dokumentarin, si “Bistrica ’63” “Kur vjen Nëntori” “Horizonte të hapura” dhe portrete për figura kombëtare si Fan Noli dhe Ismail Qemali, duke realizuar në total rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë.

Gjika si regjisor, skenarist dhe kinooperator solli një gjuhë vizuale të re dhe atmosferë realiste që e bëri të dallueshëm në ekran.
Për vlerat artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze, në vitin 1977 iu dha titulli “Artist i Merituar” dhe në 1985 “Artist i Popullit”.

Nga viti 1984 deri në 1991 ai ishte drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re”, duke udhëhequr prodhimin e filmave në një periudhë kyçe për kinemanë shqiptare dhe duke u shfaqur si një drejtues i spikatur që i dha frymë të re prodhimit filmik dhe orientoi politikën kulturore të institucionit.

Viktor Gjika u nda nga jeta më 3 mars 2009.
Në vitin 2021 ai u vlerësua (pas vdekjes) me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributet dhe meritat e jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare si operator, skenarist, regjisor e drejtues i spikatur dhe elitar i ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’; për vlerat kinematografike shqiptare që krijoi, si dhe përfaqësimit dinjitoz në ekranet botërore, duke ua përcjellë me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, dashurinë dhe pasionin për filmin edhe brezave të rinj”.

(www.akad.gov.al)

Mevlan Shanaj:

Ndoshta kineasti më i mirë i ekranit shqiptar Viktor Gjika, regjisori që më besoi kur isha ende student në filmin ” I teti në bronx” ku mu dha mundësia të isha së bashku me Sandër Prosin, Kadri Roshin, Pandi Raidhin, Piro Manin, Mihal Stefën, Vangjush Furxhiun, Bexhet Nelkun, Robert Ndrenikën, Jani Rizën, Vangjo Grabockën, Dhimitër Trajçen, YllkaMujon, Petrika Rizën etj ! Çfarë mundësie, për të punuar me më të famshmit!

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments