Sa më shumë njoh Lulzim Bashën, aq më shumë më mungon Sokol Olldashi.

Sokol Olldashi i mungon sot më shumë se kurrë politikës shqiptare dhe atyre demokratëve që kanë sakrifikuar gjithçka ndër vite dhe janë përballur sistematikisht me zhgënjime. Fjalimi i tij i fundit në 7 Nëntor të 2013-s ishte një fjalim brilant që shkundi shumë njerëz. Gjatë fjalimit Sokoli, asokohe i prekur, u ndal tek disa çështje problematike të politikës shqiptare, e më pas nga foltorja e Parlamentit kërkonte reflektim nga të dyja partitë politike për këto probleme, të cilat janë pak a shumë identike me problemet e zgjedhjeve parlamentare të 2021. Sokoli kërkonte nga PD, që të mos tregohej indiferente ndaj fenomeneve negative si blerja e votave edhe kur kjo ndodhte në radhët e saj, të dënonte tregtimin e deputetëve, e të mos justifikonte humbjen me fjalinë e zakonshme “fajin e ka PS” (ajo që po bën Basha prej vitesh). Sot 8 vjet pas vdekjes së tij jemi pothuajse në të njëjtën situatë dhe asgjë nuk ka ndryshuar, e madje nuk është përmirësuar.
Shpeshherë pyes veten: Si do të kishte qënë Partia Demokratike nën drejtimin e tij?
Unë besoj se nuk do të ishte si sot, e pafuqishme për t’u ringritur, e pafuqishme për të bërë realisht opozitën e një vendi demokratik. Refrene të përsëritura “lufta sapo ka filluar” kumbojnë gjithandej. Lufta ka filluar por ndaj kujt? Ajo të cilën kryetari aktual i PD e quan luftë kundër kundërshtarit, është konvertuar thjesht dhe vetëm në luftë brenda llojit. Po zhgënjehen dhe po largohen djem, vajza, burra, e gra që i kanë dhënë gjithçka asaj partie, dhe po promovohen individë të cilët zgjedhin rrugët më të errëta e të pahijshme për të shkuar drejt suksesit. Reflektimi i nevojitet sot PD dëshpërimisht. Ndërkohë Lulzim Basha duket se nuk preferon të reflektojë, pason përgjegjësitë e tij tek të tjerët, mbështet militantët e të paaftët duke larguar simpatizantët e aftë e të paindoktrinuar, dhe nuk u përpoq aspak gjatë fushatës elektorale të sheshonte luftërat mes kandidatëve. Çdokush që sot e kritikon dhe nuk mbyll sytë e veshët ndaj gabimeve të tij, shpallet “armik” ose individ i blerë nga pushteti.
Sa më shumë njihem me politikën e Lulzim Bashës aq më shumë kuptoj se Sokoli ishte njeriu i duhur për PD. Sokoli nuk hezitonte të fliste për të vërtetat e hidhura dhe t’i bënte ballë një disfate. Sokoli nëse do ishte sot në krye të PD, nuk do hezitonte as të ndahej nga Sali Berisha, babai politik i Lulzim Bashës, gjë të cilën sot Basha nuk e bën edhe pse i ka të gjitha mjetet. Disa shprehen se nuk e bën nga meraku i përçarjes, por asgjë tjetër përveç zhgënjimeve dhe humbjeve të njëpasnjëshme, nuk mund t’i përçajë më shumë sot demokratët.
Unë nuk e di si do të ishte sot PD nën drejtimin e Olldashit, por besoj se nën drejtimin e tij lufta e brendshme, pakënaqësitë, dhe zhgënjimet do të ishin brenda normales të proceseve të tilla. Besoj se opozita nën drejtimin e tij, nuk do të ishte thjesht një grusht politikanësh të cilët mendojnë se opozitë bëhet duke hedhur bojë, vezë, çizme e bomba molotov, e që mbajnë gjithmonë të njëjtat fjalime. Besoj se opozita sot do të kishte një peshë të jashtëzakonshme në politikë nën drejtimin e tij, dhe se nuk do të ishte Kryeministri ai që do të bënte njëkohësisht edhe opozitën vetëm sepse Lulzim Basha është duke pritur shtatorin që të bëjë opozitë. Besoj se prioritete do ishin bashkimi dhe afrimi i sa më shumë demokratëve dhe jo përçarja apo largimi i tyre, si pasojë e vendimeve të gabuara, padrejtësive dhe pazareve në kurriz të atyre që kanë dhënë shumë e nuk kanë kërkuar diçka në këmbim. Besoj se minimalisht do kishte reflektim dhe guxim nga të gjithë për të folur të vërtetat dhe jo nënshtrim ndaj një njeriu, duke pranuar gjithçka qoftë e të gabuar. Besoj se pjesa më e madhe e atyre karrikeve në Parlament nën drejtimin e tij, sot nuk do u përkiste blerësve, bashkëpunëtorve të krimit, dhe shkelësve të çdo parimi e vlere.
Vdekja e Sokolit shkaktoi menjëherë furtunë në PD, idealet u tradhëtuan, çdo vlerë u konsiderua antivlerë dhe njerëzit me parime u zvendësuan nga njerëz të cilët kanë vetëm një parim në jetë: interesin personal. Sokoli u largua për të lënë pas një PD, gjëndja e së cilës çdo ditë e më shumë përkeqësohet në duart e atyre që biznesin, e kanë prioritetin kryesor dhe të vetëm në jetë.
Emili Bibolli
