Teksa kanë kaluar mbi dy muaj e gjysmë nga dita kur Xhuana Nikollaj i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë, AMP ka nisur hetimet për Komisariatin nr. 2 të Policisë në Tiranë lidhur me veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
AMP dyshon se dy agjentë të Policisë së Komisariatit nr. 2 kanë neglizhuar zbardhjen e ngjarjes së rëndë që tronditi vendin, ndërsa ka edhe persona të tjerë nën dyshim.
Sipas A2CNN, familjarët e 25-vjeçares kanë konfirmuar se telefoni i Xhuanës ende nuk është hapur, ndërsa telefoni i shoqes së saj, me të cilën ndante dhomën, nuk është sekuestruar.
Po ashtu, dyshime janë ngritur ndaj kësaj të fundit, pasi raportohet se ajo ka insistuar që e reja të takonte ish-bashkëshortin, Eraldo Fizi. Mësohet se Xhuana, në prani të motrave të saj, është telefonuar disa herë nga shoqja.
Ajo i ka kërkuar që të takonte Eraldo Fizin, i cili dyshohet se e dhunoi rëndë Xhuanën para se kjo e fundit të merrte vendimin ekstrem.
Mësohet se i riu e mori ish-gruan dhe e çoi në Shëngjin, ku dyshohet se e ka dhunuar brenda makinës. Pasi kjo e fundit është kthyer sërish në kryeqytet, ka konsumuar fostoksinën në banesën e marrë me qira.
Dy ditë pas ngjarjes së rëndë, familjarët kanë shkuar në banesën në fjalë për të marrë rrobat dhe kanë gjetur edhe një pjesë të fostoksinës që e reja kishte konsumuar, edhe pse policia kishte kryer kontrolle më herët në atë apartament.
Mësohet se kjo është arsyeja pse AMP ka nisur hetimet për Komisariatin nr. 2 të Policisë në Tiranë lidhur me veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Po ashtu, bëhet me dije se makina e Eraldo Fizit, natën e ngjarjes, rreth orës 03:00, është gjobitur për tejkalim shpejtësie nga policia pranë ish-sheshit “Shqiponja”.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 10 mars, kur Xhuana Nikolli i dha fund jetës së saj në lule të rinisë duke konsumuar fostoksinë.
Ngjarja e rëndë tronditi jo vetëm Lezhën, ku Xhuana u rrit dhe u dashurua me personin që familjarët e konsiderojnë përgjegjës për fundin tragjik, Eraldo Fizin, por mbarë Shqipërinë, e më së shumti Tiranën, ku e reja kreu aktin fatal në apartamentin me qira ku jetonte me shoqet e saj.
@NewsIn.Al
