HomeAktualitetiGruaja në shtëpinë përballë/ Armand Zoga - Mançester

Gruaja në shtëpinë përballë/ Armand Zoga – Mançester

Gruaja në shtëpinë përballë


GRUAJA NË SHTËPINË PËRBRI
Qyteti i premtuar
Në vitin 1992, ai mbërriti në Athinë me bindjen e një
njeriu që mendon se e njeh atë vend përpara se ta
shkelë. E kishte studiuar gjuhën dhe historinë greke,
kishte lexuar filozofët helenë, tragjedinë dhe lindjen e
teatrit. Si aktor i njohur në vendin e tij, besonte se do të
gjente në atë qytet diçka nga madhështia që kishte
krijuar ndër vite në imagjinatën e tij.
Qyteti që e priti nuk ngjante aspak me atë që kishte
përfytyruar. Athina ishte zhurmë, nxitim, lodhje dhe
kontradikta. Historia e lashtë flinte në muze si një kujtim
i largët, ndërsa njerëzit përreth saj përpiqeshin të
mbaronin ditën, të paguanin faturat dhe të ruanin vendin
e tyre në një botë që nuk u falte asgjë. Ai kërkonte
qytetërimin e librave, por ndeshi njerëz të zakonshëm,
me frikërat dhe paragjykimet e tyre.
Zhgënjimi i parë nuk ishte vetëm për Athinën, por,
kryesisht, për vetë sigurinë e tij. Ai kishte menduar se
kultura e përfituar nga vitet e studimeve do t’i shërbente
si hartë, por kuptoi se kjo hartë nuk mund të të tregojë si
do të të shohë tjetri, çfarë do të mendojë për emrin tënd
apo çfarë dyshimi do t’i zgjojë origjina jote. Një vend
mund të jetë djepi i filozofisë dhe, njëkohësisht, vendi ku
njeriu paragjykohet pa u njohur.
Në Shqipëri ai ishte personazh i njohur. Në Athinë ishte
askushi. Për herë të parë, askush nuk e njihte nga fytyra,
nga rolet apo nga zëri. Anonimiteti i dha një liri të
çuditshme, që shumë shpejt u shndërrua në pasiguri. Kur
1njeriu lë pas emrin që i ka dhënë shoqëria, duhet të gjejë
një mënyrë tjetër për të vërtetuar se ekziston. Në një
vend të huaj, kjo mënyrë shpesh fillon me gjërat më të
vogla: një çati mbi kokë, një punë që t’i plotësojë nevojat
e përditshme, një fytyrë që nuk të sheh me dyshim…
Një strehë në Kolonaki
Pas shumë kërkimesh, arriti të gjente një shtëpi të vogël
në Kolonaki, në një nga lagjet e mira të Athinës. Shtëpia
nuk i jepte luksin e harrimit, por i jepte diçka më të
rëndësishme: një derë që mund ta mbyllte pas vetes. Në
fillim, dhoma dukej e huaj, e zhveshur, pa kujtime.
Megjithatë, ishte një pikë referimi nga e cila mund të
fillonte të rindërtonte jetën.
Punën e gjeti në një restorant të mirë. Ishte një kthesë e
hidhur për një aktor që dikur kishte qëndruar nën dritat e
skenës, por ai vendosi ta shijonte si një eksperiencë të
re. Puna i jepte sigurinë e ritmit të përditshëm, arsyen
për t’u çuar në mëngjes, duke mos mbetur i mbyllur
brenda kujtimeve të kohëve të bukura. Megjithëse kishte
çaste kur, duke mbajtur tabakanë mes tavolinave,
ndiente se po luante një rol të çuditshëm: njeriu që dikur
interpretonte jetën për të tjerët, tani duhej të fshihte një
pjesë të vetvetes që të mund të jetonte situatën e re.
Aftësia e tij si aktor e ndihmonte. Dinte të lexonte
fytyrat, të kuptonte ndryshimin mes buzëqeshjes së
sinqertë dhe asaj të detyruar, mes mirësjelljes dhe
përbuzjes së kamufluar si e tillë. Por kjo dhunti kishte
edhe një kosto: e bënte tepër të vëmendshëm ndaj çdo
shenje refuzimi. Një vështrim i ftohtë mund t’i dukej
paralajmërim; një pyetje e zakonshme mund të
2shndërrohej në provë. Njeriu që kishte mësuar të
vëzhgonte të tjerët, nisi të vëzhgonte veten me të
njëjtën imtësi siç nuk e kishte menduar kurrë më parë.
Fqinjët ishin dashamirës. E pyesnin nëse kishte ngrënë, i
ofronin ndihmë dhe e këshillonin se si të shmangte
problemet. Por kujdesi i tyre kishte një hije. Ata
gjithmonë e këshillonin që të mos tregonte origjinën e tij,
sepse jo të gjithë i donin të huajt. Sidomos duhej të ishte
i kujdesshëm me zonjën Meri, një grua e rreptë që, sipas
tyre, nuk i honepste të huajt.
Kështu, pa e kuptuar, ai mori me vete një frikë që nuk
kishte lindur nga përvoja e tij. Nuk kishte pasur ende
asnjë konflikt me zonjën Meri, por e kishte pranuar
gjykimin e të tjerëve për të si të vërtetë, i shtyrë nga
instinkti i vetëmbrojtjes. Në mendjen e tij, gruaja u bë
rrezik përpara se të bëhej njeriu që jetonte në të njëjtin
pallat me të. Frika e parapriu njohjen, duke bërë që
paragjykimi të zinte vend në heshtje.
Ndonjëherë njeriu nuk gënjen sepse e dëshiron atë.
Gënjen sepse mendon se e vërteta mund t’i kushtojë
strehën, punën apo sigurinë që sapo ka fituar. Ai nuk e
mohoi hapur prejardhjen e tij, por mësoi të mos e
përmendte. Heshtja dukej e padëmshme. Në fillim ishte
vetëm një masë kujdesi, më pas, pa e kuptuar, u bë
zakon. Dhe si çdo zakon i lindur nga frika, rrezikon të
shndërrohet në një burg që njeriu e ndërton vetë, pak
nga pak, ditë pas dite, pa e kuptuar.
3Gruaja e rreptë
Zonja Meri ishte pikërisht ajo që fqinjët kishin
përshkruar: e rreptë, e drejtpërdrejtë dhe pa shumë
durim për sjelljet që i konsideronte të gabuara. Nuk e
fshihte mendimin e saj pas fjalëve të ëmbla dhe nuk
përpiqej të fitonte simpatinë e askujt.
Për këtë arsye, komshinjtë e kishin kthyer në një figurë
që u shërbente frikërave të tyre. Ata nuk e përshkruanin
vetëm ashtu siç ishte, por i shtonin asaj edhe atë që
kishin vendosur të besonin për të.
Takimet e para mes tyre ishin të zakonshme.
Përshëndetje kortezie në shkallë, një pyetje për punën,
një këshillë për shtëpinë. Asgjë që të justifikonte
armiqësinë e paralajmëruar. Përkundrazi, ajo filloi të
interesohej për të në një mënyrë prindërore, duke e
pyetur nëse kishte ngrënë. Shpesh e qortonte kur
kthehej vonë dhe kjo, çuditërisht, e kënaqte aktorin.
Kujdesi i saj nuk ishte i butë në formë, por ishte i vërtetë
në veprim.
Filloi ta pëlqente. Bisedat e tyre u zgjeruan nga gjërat e
përditshme te librat, te teatri dhe te mënyra se si njerëzit
e fshehin veten pas roleve që u cakton jeta. Ajo e
dëgjonte me vëmendje dhe ndonjëherë i thoshte gjëra
që e bënin të mendonte gjatë.
Nuk e trajtonte si një të huaj të brishtë, por si një njeri të
aftë për të mbajtur përgjegjësi dhe pikërisht kjo e bënte
praninë e saj të rëndësishme.
Megjithatë, ai nuk mund t’i tregonte gjithçka. Një pjesë e
vetes mbetej e mbyllur pas një dere që ai nuk dinte si ta
4hapte. Sa më mirë që shkonte marrëdhënia e tyre, aq më
shtypëse bëhej heshtja e tij. Ai kishte frikë se zbulimi i
origjinës do të ndryshonte gjithçka. Ndërkohë, ditët që
kalonin pa e thënë të vërtetën e bënin më të vështirë
çastin kur do të donte ta thoshte.
Këtu qëndronte edhe paradoksi i tij. Kishte ardhur në një
vend të huaj për të filluar jetën nga e para, por po
përpiqej ta fillonte atë me një mungesë. Donte të
pranohej ashtu siç ishte, ndërkohë që nuk i jepte tjetrit
mundësinë ta njihte plotësisht. Frika e tij ishte e
kuptueshme, por edhe e padrejtë ndaj gruas që po i
ofronte miqësinë e saj pa i kërkuar asgjë në këmbim.
Fqinjët vazhdimisht e paralajmëronin, duke besuar se po
e mbronin. Ndoshta, në njëfarë mënyre, po përpiqeshin
ta mbronin nga një shoqëri që ata e njihnin mirë, sepse i
përkisnin asaj, ku paragjykimet kanë pasoja të vërteta.
Por, duke e këshilluar vazhdimisht të fshihte prejardhjen
e tij, po e mësonin të dyshonte edhe te njerëzit që nuk i
kishin dhënë asnjë arsye për dyshim. Filloi të ndiente se
frika mund të vijë e veshur si dashamirësi dhe se jo çdo
këshillë e dhënë me qëllim të mirë të çon drejt së
vërtetës.
Vitet dhe sekreti
Vitet kaluan shpejt dhe jeta e tij fitoi një stabilitet të
qëndrueshëm, por jo më të thjeshtë. Në restorant u bë i
besuari, në lagje u bë i njohur dhe të gjithë e
përshëndesnin. Ishte bërë tashmë një me ritmin e
rrugëve. Megjithatë, brenda tij vazhdonte të gërryente
ajo çarje: njeriu që të tjerët shihnin dhe ai që kishte lënë
pas në vendlindje.
5Mungesa e skenës ishte një plagë që ai e fshihte mirë.
Nuk i mungonin vetëm duartrokitjet apo mirënjohja. I
mungonte gjuha e tij, mënyra si mund të shprehte një
mendim pa e përkthyer, si mund të gjente në një fjalë të
vetme gjithë peshën e një kujtimi. Në Athinë kishte
mësuar të komunikonte, të punonte dhe të mbijetonte,
por një pjesë e vetes mbetej gjithmonë në pritje të një
fjale që nuk kishte nevojë të shpjegohej.
Zonja Meri, ndërkohë, u bë një prani e qëndrueshme. Ajo
vazhdonte të ishte e rreptë, si me të gjithë të tjerët, por
kujdesej për ata që kishin nevojë. Nuk kërkonte
mirënjohje dhe nuk e kthente ndihmën në borxh. Për të,
ai ishte njeriu që banonte në katin e dytë, që punonte
shumë dhe ndonjëherë harronte të hante. Ajo nuk kishte
nevojë ta kategorizonte për ta trajtuar si njeri.
Ndërsa bisedonin në oborr, papritur, ajo e pyeti nëse e
dinte çfarë mendonin fqinjët e tyre për të. E kuptoi
menjëherë se biseda nuk ishte e zakonshme. Ajo po i
dëshmonte qartë, pa shpjegime të tepërta, se e dinte që
njerëzit e quanin të ashpër dhe se i kishin këshilluar të
mos tregonte origjinën e tij. Morrnica i kaluan në gjithë
trupin si një rrymë elektrike. Për vite kishte menduar se
po ruante një sekret që nuk kishte qenë aq i padukshëm
sa kishte besuar. Zonja Meri nuk ishte e zemëruar, por
më shumë e habitur nga ideja se ai kishte pasur frikë
prej saj, ndërkohë që ajo nuk kishte parë asgjë që ta
justifikonte atë frikë.
Kur ai e pyeti sa kohë kishte që e dinte, përgjigjja e saj
erdhi pa dramë, por pikërisht për këtë arsye e tronditi
më shumë.
6— Që në fillim.
E kishte kuptuar prej mënyrës si fliste, kishte mësuar nga
komshinjtë se nga vinte dhe kishte zgjedhur të mos e
vinte në vështirësi duke e pyetur. Nuk donte ta detyronte
të rrëfente diçka për të cilën ndoshta nuk ishte gati, edhe
pse motivimin nuk e kishte kuptuar asnjëherë. Nuk e
kishte parë heshtjen e tij si fyerje, as si mashtrim, por si
një mënyrë për t’u mbrojtur.
Atëherë ai ndjeu se vitet e tij të fshehjes po merrnin një
kuptim tjetër. Ai kishte jetuar nën frikën e një refuzimi që
nuk kishte ndodhur kurrë. Kishte ndërtuar në mendje një
version të zonjës Meri bazuar tërësisht te fjalët e fqinjëve
dhe jo te përvoja e tij me të. Gruaja që mendonte se
duhej t’i fshihej, kishte qenë pikërisht ajo që i kishte
dhënë më shumë hapësirë të ishte vetvetja.
Njeriu mund të vuajë nga një padrejtësi e vërtetë, por
mund të vuajë edhe më shumë nga një padrejtësi që e
parashikon aq gjatë, sa fillon ta jetojë sikur të kishte
ndodhur. Në rastin e tij, frika nuk e kishte shpëtuar nga
një plagë; përkundrazi, e kishte mbajtur larg një afërsie
që mund të kishte qenë e lirë që në fillim.
E vërteta që nuk kërkonte falje
Ai kërkoi falje, por zonja Meri nuk e trajtonte situatën si
një shkak për të kërkuar falje. Atë e mundonte më
shumë ideja se ai kishte qenë vërtet i bindur që ajo nuk
do ta pranonte po të dinte se ishte shqiptar! Aktori nuk
mundi të thoshte po. Nuk kishte pasur prova, por vetëm
frikën e të tjerëve dhe pasigurinë e vet.
7Për herë të parë, e pa qartë se si kishte funksionuar
mendja e tij. Në fillim kishte dashur të shmangte
rrezikun. Më pas, për të justifikuar heshtjen, kishte filluar
ta shihte gruan përmes dyshimit. Sa më gjatë që nuk
fliste, aq më shumë i duhej të besonte se heshtja ishte e
nevojshme. Përndryshe, do t’i duhej të pranonte se
kishte lënë frikën të vendoste në vend të tij.
Zonja Meri nuk i kërkoi shpjegime të tjera dhe nuk e
detyroi të rrëfente gjithë jetën. Ajo, në thelb, nuk e kishte
kuptuar kurrë pse një njeri duhej të kishte frikë t’i
tregonte asaj prejardhjen. Për të, origjina e tij nuk ishte
as arsye për ta pranuar, as arsye për ta refuzuar, por
thjesht një pjesë e historisë së tij.
Kjo qetësi e saj e preku më shumë se çdo shpërthim
zemërimi. Ai ishte përgatitur, ndoshta pa e pranuar, për
një gjykim. Një gjykim do t’i kishte dhënë mundësinë të
mbrohej, të shpjegonte rrethanat dhe të thoshte se
kishte vepruar nga frika. Por pranimi i saj nuk i linte asnjë
shkak përballë të cilit të mbrohej.
Ajo nuk i tha se kishte gabuar duke u ruajtur. E kuptonte
se emigranti nuk e përjeton botën si ai që ndihet i sigurt
në vendin e vet. Për dikë që sapo ka mbërritur, një punë,
një çati dhe një marrëdhënie e mirë mund të duken si
gjëra që humbasin me një fjalë të gabuar. Ajo e këshilloi
të mos e ngatërronte kujdesin me padukshmërinë. Njeriu
mund të mbrohet për një kohë, por nëse e bën këtë
përgjithmonë, rrezikon të mos njohë më as veten.
Atë mbrëmje, ai u kthye në shtëpi me një ndjenjë të
çuditshme. Nuk ishte thjesht lehtësim. Ishte dhimbja e të
kuptuarit se kishte humbur vite duke mbajtur një derë të
mbyllur, ndërsa askush nuk po përpiqej ta hapte me
8forcë. Duke dashur të fshihte prejardhjen e tij nga të
tjerët, në njëfarë mënyre, kishte mbajtur vetveten të
burgosur brenda kangjellave të paragjykimeve të tij.
Në sirtar ruante fotografi nga vendlindja, nga koha kur
ishte aktor dhe njihej nga të gjithë. I mori në duar dhe i
pa gjatë. Nuk e kishte më atë ndjesinë se ato i përkisnin
një njeriu të humbur, por po i shikonte si dëshminë se ai
ishte shumë gjëra bashkë, përpara se të bëhej emigrant,
dhe se asnjë punë, asnjë kufi dhe asnjë frikë nuk mund
ta fshinte atë histori.
Të nesërmen, shkoi te zonja Meri për kafe dhe folën për
gjëra të zakonshme, pa e përmendur bisedën e një dite
më parë. Pikërisht kjo e bëri çastin të rëndësishëm. Pas
asaj që mund të kishte ndryshuar marrëdhënien e tyre,
jeta vazhdoi pa ceremoni. Ajo i ofroi kafe dhe biskotat që
i bënte vetë, ai u ul në të njëjtën karrige. Nuk kishte
nevojë për fjalë të tepërta.
Një identitet që nuk fshihej më
Pas asaj bisede ndriçuese, ai nuk u bë papritur i çliruar
nga e kaluara. Bota nuk ndryshoi menjëherë dhe
paragjykimet nuk u zhdukën si me magji. Vazhdoi të
ishte i kujdesshëm, sepse përvoja e emigrimit nuk ishte
një ide filozofike, por një realitet që prekte punën, paratë
dhe sigurinë. Por diçka brenda tij kishte ndryshuar.
Kur dikush e pyeste për origjinën, përgjigjej pa e ulur
zërin. Shpesh nuk ndodhte asgjë. Biseda vazhdonte,
tjetri kalonte te një temë tjetër dhe dita ecte përpara. Kjo
thjeshtësi në fillim e habiste. Ai kishte imagjinuar se e
vërteta do të sillte një çast të madh, një përballje ose një
9refuzim. Në vend të kësaj, zbuloi se shumica e çasteve të
rëndësishme të jetës ndodhin në heshtje, kur njeriu
ndalon së luftuari me një frikë që e ka mbajtur peng.
Marrëdhënia me zonjën Meri vazhdoi të ndërtohej mbi
gjërat e përditshme: kafe, ndihmë dhe biseda, herë të
zakonshme e herë mbi artin. Ajo nuk u bë simbol i
përsosmërisë. Mbeti e rreptë, herë pas here e vështirë,
duke i mësuar se njeriu nuk duhet të jetë i përsosur për
të qenë i drejtë. Gjithashtu, fqinjët nuk ishin të gjithë
armiqësorë; disa kishin folur nga shqetësimi i sinqertë.
Por edhe dashamirësia mund të bëhet e dëmshme kur e
ushqen frikën, në vend që ta lejojë tjetrin të zgjedhë vetë
të vërtetën e tij.
Ai kishte mbërritur në Athinë duke pritur të gjente një
kulturë që përputhej me librat e shkollës. Në fund,
mësimin më të thellë nuk ia dha historia e lashtë, as
filozofët dhe as monumentet. Ia dha zonja Meri, një grua
që nuk përputhej me portretin që të tjerët kishin krijuar
për të. Përmes saj, ai kuptoi se kultura nuk është vetëm
trashëgimi, fjalë të mëdha apo kujtesë historike. Ajo
provohet në mënyrën si e trajtojmë njeriun që kemi
përpara, sidomos kur ai vjen nga një vend që nuk e
njohim dhe na është sugjeruar ta shohim me dyshim.
Ndoshta ky ishte mësimi më i vështirë i emigrimit: njeriu
nuk e humb veten vetëm kur të tjerët e mohojnë, por
edhe kur përpiqet të parashikojë refuzimin e tyre dhe
fillon të jetojë sipas tyre, duke u tjetërsuar.
Zonja Meri e kishte ditur që në fillim dhe asnjëherë nuk e
kishte përdorur të vërtetën për ta vënë në vështirësi. I
kishte lënë kohën të fliste vetë. Në fund, aktori kuptoi se
ndonjëherë njeriu që na duket më i rrezikshëm është
10vetëm një figurë e krijuar nga frika e të tjerëve, ndërsa
njeriu që na jep siguri nuk bën asgjë të
jashtëzakonshme. Ai thjesht nuk na kërkon të bëhemi
dikush tjetër.
Dhe kjo, për një njeri që kishte kaluar vite duke u fshehur
pas një heshtjeje, ishte një formë e rrallë lirie.

Armand Zoga
Manchester, tetor 2026

@NewsIn.Al

NewsIn Al
NewsIn Alhttps://newsin.al
NewsIn Al është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments