A do të shkarkojë Kryeministri Rama kryebashkiakun Veliaj?
Erion Veliaj me siguri ka shpresuar se Gjykata e Lartë do t’i hapte dyert e qelisë. Por nuk ndodhi kështu. Kolegji Penal i kryesuar nga Albana Boksi dhe anëtarë Sokol Binaj e Medi Bici firmosi dhe la në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit të Posaçëm. Shkalla e dytë e Gjykatës Antikorrupsion kishte caktuar ndaj Veliajt masën e arrestit në burg.
SPAK këmbëngulte nga ana tjetër, se ekzistonte rreziku që kryebashkiaku të “helmonte” marrjen e provave si dhe të intimidonte dëshmitarët. Gjykata e Lartë pasi lexoi pretendimet e palëve dhe shqyrtoi dokumentat në dhomë këshillimi vendosi në favor të SPAK duke e lënë Veliajn në paraburgim.
Por pavarësisht sesi do të shkojë përballja e Erion Veliajt me drejtësinë, pyetja e madhe që shtrohet tani pas vendimit të Gjykatës së Lartë është: A do ta shkarkojë Edi Rama njeriun që dikur shihej si pasardhësi i tij në Partinë Socialiste, për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës?
@NewsIn.Al

