A mund të quhet përrallë!?
Ata ishin tre priftërinj… me besim në kryq e urrejtje në zemër. Flakën e urrejtjes e mbanin të mbuluar me veladon, që të mos ua shuante era e kohës. Këta të tre ishin dënuar nga Zoti që të mundoheshin për të varrosur një emër. Kishin shtatëdhjetë e ca vite që punonin të gjorët për këtë vepër mizore. Harrova t’ju them se ky emër ishte një shpirt këngësh. Puna e këtyre priftërinjëve bëhej në errësirë të plotë dhe do të ishin verbuar prej kohësh po të mos u bënte dritë flaka e urrejtjes. Sapo e varrosnin emrin ai rrëshqiste nga dheu dhe dilte mbi tokë si një lis vigan me qindra degë plot blerim, mbi të cilat ndërtonin fole dhe këndonin zogjtë më të bukur të dheut!
Askush nuk u tha të mjerëve priftërinj se ky emër nuk mund të varrosej. Prandaj ata akoma edhe sot, edhe në të ardhmen, do të mundohen të kryejnë këtë punë mizore, pasi janë të dënuar si SIZIFI!

A mund të varroset shpirti i këngës!
#Fabjola Gjoza

