Thursday, April 23, 2026
spot_img
HomeBotaAGONI - Rrëfim nga Armand Zoga

AGONI – Rrëfim nga Armand Zoga

Agoni

 

Ai tashmë jeton të tashmen. Shijon ç’do frymëmarrje, ç’do pikë ujë që pi, ç’do sekondë të jetës tokësore që e konsideronte dhuratë. Bënte pjesë në ato rastet e rralla ku nga një njeri i rëndomtë si turrma që e rrethonte, ishte shndërruar në rrebelin që e njëjta turrmë lakmonte.

Gjithshka nisi në një ditë të zakonshme kur , i lodhur nga rutina shumëvjeçare që i kishte paralizuar çdo dëshirë dhe ide që kishte jashtë saj, vendosi ti ngjitej malit, aty ku askush nuk kishte guxuar të ngjitej qysh prej kohëve të Kreshnikëve të Eposit.

Në rrëzë të Bjeshkëve të Namuna, aty ku mjegulla puth shkëmbinjtë përpara se dielli të zgjohet, Agoni vendosi të jetonte përtej rutinës së ditëve. Hija e maleve rëndonte mbi mendimet e tij dhe vendosi të dilte mbi to. Nuk donte të ishte një trim i rëndomtë me shpatë në mill dhe koburen në brez, por një kërkues i heshtur që ndiente se shpirti i tij kishte mbetur si një lumë i tharë. “Duhet të ketë diçka më shumë se kjo ekzistencë e rëndë,” thoshte me vete, pa mundur të kuptonte se çfarë saktësisht kërkonte.

Atë ditë, i shtyrë nga një zë i brendshëm të cilin gjithmonë e kishte injoruar me heshtjen e tij, nisi ngjitjen drejt majave ku thuhej se bota e njerëzve takohej me atë të mbinatyrshmes.

Rruga ishte e thiktë dhe ajri u bë i hollë. Rrezet e diellit, që arrinin të kalonin, ta prisnin shikimin si brisk. Arritur grykës së ngushtë ku vetëm shqiponjat guxonin të pushonin, i doli përpara Zana e Madhe e Malit. Ishte e gjatë tre bojë njeriu, me sy që shndritnin si akulli i përjetshëm, në kokë mbante spektrin e një autoriteti hyjnor dhe në dorë shtizën vetëtimë të ndëshkimit.

“Përse kërkon të ngjitesh kaq lart o vdekatar?” e pyeti ajo, dhe zëri i saj tundi gurët e greminës pas shekujsh qetësie të paqtë.

“Kërkoj rritjen e shpirtit që jam,” u përgjigj Agoni, duke u përpjekur ta mbante zërin që të mos i dridhej.

Pasoi një heshtje që nuk e di sa zgjati, por durimi i tij e mori shpërblimin e kalimit. Zana e Madhe e Malit i zgjati një gur kristali të vogël që shkëlqente si dielli. Sapo e mori në pëllëmbë të dorës, ra në gjunjë nga pesha e rëndë. Guri peshonte sa e gjithë egoja e tij, sa të gjitha premtimet e thyera dhe gjithë përtacia e viteve konsumuar në rutinë.

“Vullneti është hapi i parë,” tha Zana. “Pa disiplinë, shpirti yt është si uji që derdhet në rërë. Mbaje këtë gur kristali dhe mos e lësho derisa të arrish lëndinën e lartë. Kjo është Besa që po i jep vetvetes.”

Ngjitja vazhdonte me ditë dhe me orë të tëra,herë në shtigje të ngushta e herë në kurthe gropash, herë pikonte djersa në sytë që i digjnin e herë loti i dhimbjes ngrinte poshtë syut, si kristal. Sa herë që donte ta lëshonte gurin që e tërhiqte drejt tokës, aq herë kujtonte sytë e Zanës së malit dhe vazhdonte. Kështu, metër pas metri në ngjitjen drejt majës, ai mësoi se urtësia e vërtetë vjen nga zotërimi i vetvetes. Kur arriti në majë, guri u bë i lehtë si pendë pëllumbi. Ai kishte kaluar sprovën e forcës.

 

Sapo kaloi rripin e fundit shkëmbor, peizazhi ndryshoi tërësisht. Nuk frynte ajo era e ftohtë që të ngrinte lotin dhe rrezja e diellit nuk të priste si brisk, por një aromë lulesh që të dehte dhe drita e plotë që të ngrohte bujtësisht, si një përqafim pas ardhjes në shtëpi. Në mes të lëndinës, mes barit dhe luleve shumëngjyrëshe pa qënie të dritës që vallëzonin dhe lëviznin me lehtësinë dhe zhdërvjellësinë që mendja njerëzore nuk mund ta perceptonte. Ishin Shtojzovallet.

Njëra prej tyre, me flokë që i valëviteshin si fije mëndafshi, iu afrua dhe qeshi. “Zana të mësoi si të qëndrosh drejt, por ne do të mësojmë si të lëvizësh me jetën.”

E mori prej dore dhe e futi në rrethin e valles. Në fillim, Agoni ishte i ngurtë, i menduar, i rënduar nga “pesha” e re e vullnetit të tij. Por muzika e tyre, që rridhte nga ajri, filloi t’i çlironte muskujt. Ai harroi kush ishte dhe nga vinte, harroi dhimbjen e ngjitjes dhe filloi të ndiente magjinë e momentit.

Kështu, ai zbuloi Lirinë. Mësoi se rritja shpirtërore nuk është vetëm luftë dhe gurë të rëndë, por edhe aftësia për të qenë i lehtë, për të qeshur me veten dhe për ta parë përsëri botën me sytë e një fëmije. Magjia e valles ishte zotërimi i egos dhe bashkimi me harmoninë e gjithësisë.

 

Kur vallja mbaroi dhe Shtojzavallet u tretën në eter, Agoni e gjeti veten të ulur buzë një burimi të kaltër. Pa reflektimin e tij në ujë dhe nuk njohu më njeriun që ishte nisur nga këmbët e Bjeshkëve të namuna. Ajo që shihte të pasqyruar kishte diçka nga qëndresa e shkëmbit të Zanës së Malit dhe shumë nga drita e Shtojzavalleve.

Natyra përreth tij nuk ishte më thjesht pemë dhe gurë. Ishte mësuesi i madh. Ai kuptoi se pema nuk bën përpjekje për t’u rritur, ajo thjesht rritet, shkrirë ligjeve të natyrës. Rritja e tij shpirtërore ishte pikërisht ky ekuilibër.

Të mendonte si Zana, të vepronte si Shtojzavallja dhe të jetonte si pema në paqe, harmoni dhe unitet me gjithçka.

Kur u kthye në fshat nuk ishte duar bosh, por me një botë të tërë brenda gjoksit. Ai nuk ishte më i tharë, ishte bërë vetë lumi.

 

 

Armand Zoga

24-03-6026

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments