Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
(AGSH) dënon me forcë sulmin fizik dhe pengimin e ushtrimit të detyrës ndaj gazetares së Top News, Keida Muka, gjatë raportimit të saj të drejtpërdrejtë nga protesta e qytetarëve.
Asnjë gazetar nuk duhet të bëhet objekt dhune, kërcënimi apo intimidimi për shkak të punës së tij. Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një cenim të rëndë të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t’u informuar.
AGSH rithekson se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore demokratike, por ajo nuk mund të shndërrohet në justifikim për sulme ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike që janë në terren për të pasqyruar ngjarjet.
I bëjmë thirrje koordinatorëve të protestës dhe të gjithë pjesëmarrësve të respektojnë punën e gazetarëve, pavarësisht qëndrimeve ndaj mediave.
Po ashtu, u kërkojmë autoriteteve të identifikojnë autorët e incidentit dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore.
@NewsIn.Al
