Ah, ky brezi i ri…
– Kush nuk dha një psherëtimë të tillë?! –
( Nga shënimet e mia të çoroditura)
Çdo brez, me “barrën e viteve”, natyrshëm e sheh ndryshe brezin e ri. Mbase, qysh kur njeriu filloi të mendojë, “xhelozia” e heshtur ka qenë ajo mes brezave. Është logjike që secili brez ta vetëshpallë veten hero. Në këtë kaskadë, secili prej nesh ka rrëfimet e veta. A e mbani mend kur prindi juaj shprehu mosbesimin e parë?
Po ju kujtoj rastin tim, që nuk mund ta harroj. Për ata që kanë fëmijëruar në fshat, prova e parë ishte “një barrë dru”. Kjo provonte se do ta “përballoje jetën”. Im atë ishte mosbesues ndaj meje. Vëllai i madh ishte më i zoti se unë në këtë punë. Kur do të ngarkoja për herë të parë një barrë dru, im atë më shikonte. U hutova. Gomari lëvizi, duke marrë zvarrë samarin e vastarkën. Babai nuk duroi: “Si do të mbani familje kështu…” Dëgjova zërin e tij qortues…
Djemtë e mi qeshin kur u sjell kujtime të tilla. Edhe unë qesh me fatin tim varfanjak në fillimet e veta.
Brezat janë “shkallë” ku ngjitet shoqëria njerëzore. Një shoqëri e civilizuar, një komb me kujtesë dhe aftësi për të mbartur vlerat, nuk e fshin historinë e traditën për t’u shpallur i ri; di t’i lartësojë ato. Duke nderuar “brezat që shuhen”, shoqëria pasuron veten dhe ruan shpresën se asgjë e vlefshme nuk do të harrohet.
Për fatin e hidhur shqiptar, kjo trashëgimi shpesh është zëvendësuar nga egërsia e një “lufte civile” që nuk mbaron. Të gjithë kujtojmë “vëllavrasjen” shqiptare pas Marrëveshjes së Mukjes dhe kemi besuar se u “varros” në shekullin që iku…
Jo. Nuk u varros kurrë, me sa duket. Të dridhet shpirti kur, ende në dekadën e tretë të këtij shekulli, si “qeni pa zinxhir”, vërshon mes Tiranës një urrejtje e mplakur ndaj “bijve të komunistëve”, “këlyshëve të kuq” apo “ballistëve me qylaf-shqiponjë”… Një “detashment” që mendohej i harruar ka ngritur zërin e frikshëm të përçarjes. Turma bërtet: “U erdhi fundi…” Dhe duartrokitje…
“Ky brez do të varrosë komunizmin!” “Ky brez është e ardhmja…”
Kur komunizmi ra, të gjithë thamë: “Erdhi kohë e re”. Pas kaq dekadash, brezi i ri bërtet: “Shqipëria e re”…
Brezi i mplakur qesh, duke thithur “llullën” e mendimeve. “Po Shqipëria ime ku shkoi? Do ta ‘varrosni’?!”
Brezi i ri, i pagjumë, lë zgjuar Tiranën. “U erdhi fundi…” buçet ai, ndonëse ende nuk ka bërë “barrën e parë me dru”.
Sjell në mendje kujtimet e mia dhe qesh. Ndjek entuziazmin e disa të moshuarve ndaj “rinisë revolucionare” dhe pyes: A e di kjo rini se edhe ajo do të bëhet një ditë brez i vjetër?
Jeta në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një “vrap plot mund”, sepse brezat nuk kanë ditur të lidhen në një vazhdimësi të përbashkët. Nuk duket asnjë “shkallë” ku të shihen qartë kontributet e secilit. Kjo kakofoni është bërë “tipar shqiptar”, ose, thënë vendçe: “besa” që nuk është dhënë kurrë, duke na ekspozuar si “komb i pabesë”. Pabesia e parë është demonstruar nga politikanët: ata në pushtet dhe ata në opozitë.
“Brezi i ri do të na shpëtojë!” bërtitet në studio dhe në megafonë! Po si? Ata nuk dinë t’i besojnë dikujt, t’i thonë: “Je prijësi i kësaj fryme! Udhëhiq!”
Ah, ky brezi i ri – pëshpëris me vete dhe i frikem shumë kohës kur ai të thotë se “jetën e shpiku qelqi me ngjyra”…
Brezi i ri, por duke qenë edhe “brez shqiptar”, frika dyfishohet…
Por im atë vjen i heshtur e më “heq veshin”: “Edhe unë kisha frikë se si do ta jetoje jetën.”
“Ah, ky brezi i ri…” Mos harroni kurrë brezin e vjetër.
SHEFQET MEKO
Minneapolis, Minnesota
30 korrik 2026
( Ilustrimi nga AI)
@NewsIn.Al

