Aksident tragjik në Athinë, tre të rinj humbin jetën – dy 18-vjeçarë në spital
Një aksident tragjik ka tronditur Athinën në orët e para të mëngjesit të së enjtes, 17 shtator, në zonën e Glyfadës.
Rreth orës 02:00, një automjet me pesë persona ka dalë nga rruga në bulevardin Poseidonos, në kryqëzimin me rrugën Kalypsous, në drejtim të Athinës, dhe është përplasur me forcë të madhe me murin rrethues të një hoteli. Përplasja ka qenë aq e fortë sa automjeti është shkatërruar pothuajse tërësisht.
Të pesë personat u nxorën nga automjeti dhe u transportuan në spital. Tre prej tyre, një 23-vjeçar, një 26-vjeçar dhe një person ende i paidentifikuar zyrtarisht, nuk mundën t’u mbijetonin plagëve dhe humbën jetën disa orë më vonë.
Dy të mbijetuarit janë 18-vjeçarë. Njëri prej tyre ndodhet i intubuar dhe në gjendje të rëndë, ndërsa tjetri ka pësuar dëmtime të shumta dhe po mbahet nën monitorim mjekësor.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse dhe ekipet e EKAV-it. Për nxjerrjen e dy prej të plagosurve nga automjeti është dashur ndërhyrja e ekipeve të specializuara të shpëtimit.
Policia Rrugore po heton shkaqet e aksidentit dhe po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas informacioneve të publikuara deri tani, dyshohet se automjeti ka humbur kontrollin, ndërsa rrethanat e sakta të aksidentit janë ende duke u hetuar.
Sipas raportimeve që qarkullojnë në burime shqiptare, viktimat dyshohet se janë të rinj nga Fieri, por ky detaj nuk është konfirmuar ende nga burimet zyrtare greke.
@NewsIn.Al
