HomeKulturë / ArtAleko Turtulli u arrestua më 5.3.1951. Gjykata Ushtarake Korçë me vendimin nr.165,...

Aleko Turtulli u arrestua më 5.3.1951. Gjykata Ushtarake Korçë me vendimin nr.165, datë 21.9.1951, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burgim e punë të detyruar…

“Kam shpresa për punë krahu”

Aleko Vangjel Turtulli (10.1.1910-10.9.1988), lindi në Selanik e vdiq në Korçë. Më 1921-1926 ndoqi liceun e Korçës. Më 1926-1931 ndoqi Shkollën e Lartë të Tregtisë në Montpelje, si dhe specializime të ndryshme deri në vitin 1933. Në vitin 1933 u kthye në atdhe. U mor me tregti, si dhe studime ekonomike që i botoi në shtypin e kohës. U burgos në vitin 1945 për mospagimit tatimi. Nuk ishte e thënë të mos arrestohej sepse njihej prej E.Hoxhës.
Në librin e “Vite të rinisë”, Enver Hoxha, si batakçi tipik e hakmarrës, shkruan kështu për Alekon:
“Nganjëherë i thoshim Aleko Turtullit (shok i klasës), djali i Vangjos dhe nipi i Thomait:
-Na sill ca dru nga shtëpia, o “viç i artë”, se do t’i ftohesh mamasë, që të ka të vetëm!
“Viç i artë” ishte nofka e përshtatshme për atë djalë bullafiq, që rritej të trashëgonte pasuritë e Vangjos, të Thomait dhe më vonë, kur u martua, edhe të Lakos! Mirëpo, nuk i trashëgoi dot, për arsye të luftës sonë. Ai nuk doli hapur kundër nesh, por kur u vendosën taksat e luftës për tregtarët e mëdhenj, natyrisht, për Turtujt nga të cilët kishte ngelur vetëm Lekoja, këtij iu caktuan disa miliona. Alekoja pagoi një pjesë, kurse për tjetrën përpëlitej, bënte be e rrufe që nuk kishte më, po nuk e besonte kush. Kur po afrohej afati dhe në rast se nuk do t’i paguante, do të shkonte drejt e në burg, më kujtohet që erdhi në Tiranë dhe kërkoi të piqej me mua, të më “qante hallin” si bashkënxënës që kishim qenë. I thashë:
-Leko, paguaja shpejt paratë popullit dhe shtetit, ndryshe nuk do të shpëtosh nga burgu!”.

Aleko u arrestua më 5.3.1951. Gjykata Ushtarake Korçë me vendimin nr.165, datë 21.9.1951, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burgim e punë të detyruar. U la në fuqi me vendimin nr.555, datë 2.11.1951. E shoqja, e ndodhur ngushtë, i drejtoi disa letra E.Hoxhës, por gjithnjë mori refuzimin e përgjigjes nga ai. Më 4.1.1952, kur Alekoja ndodhej në Kampin nr.2 në Gosë të Kavajës, ajo i shkruante E.Hoxhës, në të cilën pasi përshkruan gjendjen e rëndë të bashkëshortit, e mbyll letrën me këto fjalë: “Kam kërkuar punë po me që kam burrin e dënuar, asnjë punë nuk më jepet, por vetëm kam shpresa për punë krahu”.
Alekoja u lirua më 26.7.1959. Pas daljes nga burgu punoi bojaxhi së bashku me bashkëshorten.

Kastriot Dervishi

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments