-DO T’U VIJË DITA-
Po shtriqet batica mbi frontin e braktisur,
Nga një fije, përherë e më shumë,
Në një gjysmë kafke bunkeri të përmbusur,
Një pulëbardhë po darkon plot zhurmë…
Për kohëra të largëta po u flet valëve,
Për luftën e ftohtë, ushtarët e gurtë,
Nëndetëset, sirenat e alarmeve,
Miqtë e armiqtë, që në Jon s’rrinë urtë…
Të tjera kohë sot, të tjera pallavra,
Slogane, parrulla, heqje lirie,
Armiq e miq, që këmbejnë fytyra,
Dhe pse zjarr nuk ka, era tym bie…
E falën Shqipërinë pa vula, pa letra,
Për shukat e parave, që hanë me zor,
Ashtu si gjelave do t’u vijë dita,
Me këmbë t’u bien, kryeve në oborr…
-ARMENIDA Qyqja
(Gusht 2022)
@NewsIn.Al

