TAKSA E LUKSIT DHE RRITJA E TAKSAVE TË AUTOMJETEVE NË VITIN 2027 – A PO TAKSOHET LUKSI APO MUNDËSIA EKONOMIKE E QYTETARËVE?
Këto ditë, në kuadër të diskutimeve për Projektbuxhetin e vitit 2027, po flitet për ndryshime të rëndësishme në sistemin e taksimit të automjeteve. Ndër të tjera, është propozuar rritja e ndjeshme e taksës vjetore të automjeteve të përdorura, si dhe rritja e taksës vjetore për automjetet që klasifikohen si automjete luksoze.
Por lind një pyetje thelbësore: A janë të drejta dhe të arsyeshme kriteret ligjore mbi të cilat përcaktohet se cilat automjete konsiderohen luksoze dhe, për rrjedhojë, duhet t’i nënshtrohen kësaj takse?
Sipas nenit 4, pika 11, të ligjit nr. 9975, datë 28.07.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, në kategorinë e automjeteve luksoze përfshihen autoveturat deri në 6+1 vende, të cilat plotësojnë të paktën njërin prej dy kritereve: cilindratë të barabartë ose më të madhe se 3.000 cm³, ose vlerë/çmim të barabartë ose më të lartë se 5.000.000 lekë.
Pra, mjafton plotësimi i njërit prej këtyre kritereve që automjeti të klasifikohet si luksoz.
Pikërisht këtu qëndron problemi i drejtësisë së kësaj skeme tatimore!
Një qytetar me të ardhura modeste, një pensionist, apo një familje e zakonshme mund të zotërojë një automjet 10–15-vjeçar, të ardhur nga emigracioni, me vlerë reale në treg jo më shumë se 6.000–7.000 euro. Megjithatë, nëse cilindrata e tij është 3.001 cm³ ose më shumë, ai klasifikohet automatikisht si automjet luksoz dhe i nënshtrohet taksës përkatëse.
A mund të konsiderohet realisht luks një automjet 12 apo 15 vjet i vjetër, vlera e të cilit në treg është disa herë më e ulët se vlera e një autoveture të re të kategorisë së mesme?
A është cilindrata e motorit një tregues i mjaftueshëm i pasurisë dhe i aftësisë paguese të pronarit të automjetit?
Në vlerësimin tim, jo!
Cilindrata mund të jetë një tregues teknik i karakteristikave të automjetit, por nuk përbën domosdoshmërisht tregues të vlerës së tij ekonomike dhe aq më pak të gjendjes financiare të pronarit.
Një tjetër çështje që kërkon debat është vetë natyra e taksës së luksit.
Mund të diskutohet vendosja e një takse regjistrimi në momentin e parë të regjistrimit të automjetit në vend, por përse duhet të vazhdojë të paguhet çdo vit një taksë e veçantë luksi, pavarësisht zhvlerësimit të automjetit dhe uljes së konsiderueshme të vlerës së tij në treg?
Përse një automjet që sot ka një vlerë disa herë më të ulët se në momentin e prodhimit apo të blerjes duhet të vazhdojë të trajtohet fiskalisht si automjet luksoz vetëm për shkak të cilindratës?
Kjo është një çështje që meriton rishikim serioz nga pikëpamja e proporcionalitetit dhe e drejtësisë tatimore.
Po aq problematike është edhe rritja e propozuar për vitin 2027.
Sipas propozimeve të bëra publike, taksa vjetore e automjeteve luksoze parashikohet të rritet nga 21.000 lekë në 40.000 lekë në vit, ndërkohë që paralelisht parashikohet edhe ndryshimi i formulës së taksimit vjetor të automjeteve të përdorura, në kuadër të zhvendosjes së taksës së qarkullimit nga karburanti te automjeti.
Këtu lind një tjetër pyetje e arsyeshme:
Çfarë lidhjeje të drejtpërdrejtë ka rritja e taksës së luksit me zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburanti te taksa vjetore e automjetit?
Nëse synimi është kompensimi i qytetarëve përmes heqjes së taksës së qarkullimit nga karburanti, përse duhet të rëndohet njëkohësisht edhe detyrimi i veçantë për automjetet luksoze?
Dhe, mbi të gjitha, a do të reflektohet realisht në çmimin e shitjes së karburantit ulja e barrës fiskale prej rreth 32,4 lekësh për litër, përfshirë efektin e TVSH-së?
Nëse sot karburanti shitet me rreth 219 lekë për litër, a do të përfitojë konsumatori nga një ulje reale e çmimit drejt nivelit 190 lekë për litër, apo lehtësimi fiskal do të mbetet thjesht një efekt në llogaritë e shtetit dhe jo në xhepin e qytetarit?
Një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet pensionistëve.
Përse qeveria, e cila deklaron se synon lehtësimin e barrës ekonomike për këtë kategori, nuk parashikon një trajtim të diferencuar për pensionistët që zotërojnë automjete dhe i përdorin ato në mënyrë të kufizuar?
Le të marrim një shembull konkret: një pensionist që zotëron një autoveturë me cilindratë 3.500 cm³, prodhim i viteve 2010–2015, dhe përfiton një pension prej 40.000 lekësh në muaj, që për kushtet e pensioneve në Shqipëri mund të konsiderohet relativisht i lartë.
Vetëm për detyrimet vjetore të automjetit, në varësi të formulës së re dhe të koeficientëve përkatës, ai mund të përballet me një barrë që përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tij vjetore, deri në afro tre pensione mujore.
A është kjo një politikë fiskale që merr parasysh realitetin ekonomik dhe social të pensionistëve?
A duhet të konsiderohet luks zotërimi i një automjeti të vjetër, i cili në shumë raste është mjeti i vetëm i transportit për një qytetar në moshë të tretë?
Apo duhet të presim që fëmijët, nipërit dhe mbesat që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë të vazhdojnë të përballojnë edhe detyrimet fiskale të automjeteve të prindërve dhe gjyshërve të tyre?
Nga pikëpamja juridike, kjo çështje duhet parë edhe në raport me parimet kushtetuese të sistemit tonë fiskal.
Neni 155 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton se taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimet dhe përjashtimet prej tyre caktohen me ligj. Ndërsa neni 18 garanton parimin e barazisë përpara ligjit.
Këto dispozita, të lexuara së bashku me parimin e shtetit social dhe objektivat socialë të parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, kërkojnë që politikat fiskale të ndërtohen duke marrë në konsideratë jo vetëm nevojën për të ardhura buxhetore, por edhe aftësinë reale paguese të qytetarëve dhe ndikimin social të barrës tatimore.
Barazia tatimore nuk nënkupton domosdoshmërisht trajtimin identik të çdo qytetari, pavarësisht rrethanave ekonomike. Përkundrazi, drejtësia fiskale kërkon që diferencimi i barrës tatimore të mbështetet në kritere objektive, të arsyeshme dhe proporcionale.
Për këtë arsye, mendoj se përpara miratimit përfundimtar të Paketës Fiskale 2027 duhet të shqyrtohen disa ndryshime konkrete:
1. Rishikimi i kritereve të klasifikimit të automjeteve luksoze, duke mos u mbështetur vetëm te cilindrata, por edhe te vlera reale dhe aktuale e automjetit, mosha e tij dhe zhvlerësimi në treg.
2. Rishikimi i taksës vjetore të luksit, duke shqyrtuar mundësinë e eliminimit ose reduktimit të saj për automjetet e vjetra, vlera ekonomike e të cilave nuk justifikon më klasifikimin si automjete luksoze.
3. Parashikimi i lehtësive të veçanta për pensionistët, veçanërisht për ata me pensione të ulëta dhe të mesme, të cilët zotërojnë vetëm një automjet në pronësi dhe e përdorin atë për nevoja familjare e personale.
4. Vendosja e një mekanizmi mbrojtës për kategoritë me të ardhura të kufizuara, në mënyrë që rritja e taksave të mos krijojë një barrë joproporcionale në raport me të ardhurat e tyre.
5. Garantimi i transparencës për uljen e çmimit të karburantit, në mënyrë që heqja e taksës së qarkullimit të reflektohet realisht në çmimin që paguan konsumatori.
Në fund të fundit, një sistem fiskal i drejtë nuk duhet të synojë thjesht rritjen e të ardhurave buxhetore, por duhet të garantojë një shpërndarje të arsyeshme të barrës tatimore, në përputhje me mundësitë ekonomike të qytetarëve.
Nuk mund të barazohet një automjet luksoz, me vlerë të lartë në treg, me një automjet 15-vjeçar që një pensionist e përdor për nevojat e përditshme. As nuk mund të konsiderohet e drejtë që një kriter thjesht teknik, si cilindrata e motorit, të përcaktojë automatikisht aftësinë ekonomike të pronarit për të përballuar një taksë të veçantë.
Në vlerësimin tim, përpara se kjo paketë fiskale të marrë formën përfundimtare, duhet të rishikohet me synimin e uljes dhe jo të shtimit të barrës për qytetarët që kanë mundësi të kufizuara ekonomike.
Kjo do të ishte një shenjë konkrete e përgjegjësisë sociale dhe e vëmendjes së qeverisë ndaj qytetarëve të saj, veçanërisht ndaj pensionistëve, të cilët pas një jete të tërë pune meritojnë më shumë lehtësi dhe jo detyrime të reja e të papërballueshme.
Sepse drejtësia fiskale nuk matet vetëm me atë se sa të ardhura mbledh shteti, por edhe me atë se sa e drejtë është mënyra se si ua merr ato qytetarëve!
Berti Koxha
Qendra e Studimeve për Sigurinë Rrugore (QSSRR)
@NewsIn.Al

