Atyre që pëshpëritën serenata…
Një shtëpi e vogël e hunbur diku në krahët e një “qoshke” me kalldrëm! Dy dritare jeshile, një derë e zbehur me një “lloz” hekuri dhe një “doçkë” të varur prej bronzi. Një oborr i vogël, disi i hapur….por mjaft i madh për të akomoduar dritën e ëndrrave tona të fëmijërisë dhe një sobë druri që do na ngrohë kujtimet. Kavanoza të zbrazët që janë kthyer në “poçe” lulesh të improvizuara, çarçafë të sapolarë që mbajnë erë sapun të bardhë, të varur mbi tela dhe një gur i madh në trotuar jashtë shtëpisë ku ulen kalimtarët.
Copëzat e muzikës në kupolën e Themistokliut përballë shtëpisë së oficerëve kumbojnë ende në vesh. Zërat dhe të qeshurat e të dehurve, liria e njerëzve në fundjavë dhe ajo përshëndetja e ndrojtur çdo mëngjes të bëjnë të kuptosh se ndonjëherë i detyrohesh më shumë vetes që ke lindur Korçar.
Ndonjëherë pasditeve, mendoj: Sa më e lehtë është të dashurosh një person, aq më e vështirë është të dashurosh një vend. Jo çdo vend, por atë që lind dashurinë dhe e pëshpërit me serenata. Asnjë shtëpi dhe asnjë rrugicë nuk do të kishte të njëjtën vlerë nëse nuk do të ishte e lidhur me njerëzit dhe momentet që kemi jetuar me ta atje.
Shëtitjet e mbrëmjes në park, zhurma e gjetheve të rëna që zvarit era, aroma e blirit në bulevard, era e gjalpit të shkrirë mbi “lakror”, farat e pjekura në një kaush letre, akullorja që të shkrin në dorë, cigaret e para dhe një arratisje me kitarë e bëjnë këtë qytet. Të gjitha këto… ndoshta dhe një puthje e fshehtë!
Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti
@NewsIn.Al

