PS-PD bëhen sërish bashkë. Me 108 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, Kuvendi ka miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të lehtësojnë procesin e votimit të diasporës në zgjedhjet e 11 Majit.
Në këto ndryshime përfshihet mbulimi i plotë i shpenzimeve postare për votën e diasporës, duke garantuar që emigrantët të mos paguajnë për kthimin e fletëve të votimit në Shqipëri.
Po ashtu, përfshihet edhe afrimi i afateve për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe të dërgohet në kohë jashtë vendit.
Një tjetër ndryshim është që numërimi i votave të diasporës të bëhet nga KQZ me përfshirjen e komisionerëve politikë.
“Demokratët dhe socialistët arritën dakordësinë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndryshimet u miratuan me 108 vota pro, zero abstenime dhe zero kundër. Votave pro të PS dhe PD iu bashkuan edhe deputetët e PL, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili dhe disa prej aleatëve të PD sikundër Agron Duka dhe Dashamir Shehi, të cilët e kishin lajmëruar më herët votën e tyre pro këtyre ndryshimeve. Referuar ndryshimeve të bëra sot, dhe miratimit nen për nen, ndryshimet hyjnë menjëherë në fuqi. Bëhet fjalë për pagesën e plotë të postës vajtje ardhje për shtetasit shqiptarë jashtë Shqipërisë që do të paguhet nga KQZ me një fond të alokuar nga shteti. Palët i dhanë gjithashtu dakordësinë numërimit të votave me komisionerë politikë, të cilat do të numërohen në KQZ. Një tjetër pikë ka të bëjë me afatet që u afruan për t’i dhënë më shumë mundësinë KQZ për të prodhuar dhe shpërndarë fletën e votimit sa i përket votimit të shtetasve shqiptarë përtej kufirit. Nuk pati surpriza dhe sa i përket deklarimit të mëhershëm të PS se votimi i emigrantëve me dokumente të huaja është i pamundur”, raportoi gazetarja Greta Bullari.
@NewsIn.Al