Ka një garë kush e blen makinën më të madhe e më të shtrenjtë. G apo S-Class, Serie 7, Q8, Porsche te Lamborghini Urus, makinat e luksit mbeten një simbol statusi dhe pushteti informal, një mjet i shtrenjtë, i papërballueshëm për shumicën dërrmuese të qytetarëve të ndershëm.
Këto ditë vëmendja është te makinat G-Class për shkak se një e tillë u bë shenjestër e një atentati me 4 të plagosur, 2 prej të cilëve fëmijë.
Një G-Class i vitit 2018–2019 kushton mbi 120 mijë euro, ndërsa modelet më të reja, të 2025-ës, shkojnë deri në 250 mijë euro.
Dhe paradoksi është ky: shumë prej atyre që i drejtojnë, nuk kanë të deklaruar asnjë ditë pune në jetë, ose kanë libreza e rroga fiktive në sistem, që nuk kalojnë 1000 euro në muaj. Në kushte normale, një qytetar me të ardhura të ndershme, do të duhej të punonte për mbi 100 vjet për të përballuar një G-Class.
Në fakt, përmes këtyre makinave mund të lexosh me lehtësi rrjetin e pushtetit informal dhe kriminal që ka zaptuar Shqipërinë. Ato janë kthyer kryesisht në simbole të të rinjve të lidhur me grupe kriminale, pastrim parash, trafik droge, mashtrime, korrupsion, dhunë, shantazh dhe jetë luksoze që nuk ka lidhje me realitetin ekonomik të vendit.
Po përse nuk reagon askush?
Përse nuk i kontrollon Policia e Shtetit se kush i ka në pronësi këto makina luksoze e të tjera të ngjashme si këto? Si janë blerë ato? Në vende normale, një e dhënë e tillë do të mjaftonte për të nisur një hetim për pasuri të pajustifikueshme. Në Shqipëri, këto makina, në vend që të ndezin sirenat e drejtësisë, ndezin dritat LED dhe xhirojnë të papenguar në rrugë, shpesh me targa të regjistruara në emër të personave të tretë.
Disa nga këta personazhe në timonët e G-Class-ëve luksozë janë persona të njohur për Policinë, jo për kontributin e tyre në shoqëri, por për lidhjet me botën e errët të krimit. E megjithatë, asnjë institucion nuk ndjek logjikën e thjeshtë për të hetuar këdo që shikon dikë duke drejtuar një makinë 200 mijë euroshe, në një vend ku gëlon krimi, korrupsioni, mashtrimi e droga.
G-Class-i është bërë mjeti i preferuar i një klase të re – e paarsimuar, e paformalizuar, e pazhvilluar, por me lidhje të forta në territoret e krimit.
Dhe çdo herë që kalon pranë një G-Class-i me xhama të zinj, ke ndjesinë se ndodhesh në një skenë filmi gangsterësh, ku policia është vetëm spektatore.
Policë kriminalë! Ndalojini makinat luksoze, regjistrojini personat që i kanë në pronësi ose i përdorin në emra kompanish apo individësh të tjerë. Aty do të gjeni, në shumicën e rasteve, çelësin për pasuritë e botës së nëndheshme të krimit, i cili, me këto mjete të rënda luksi ka guximin edhe t’i bëjë karshillëk një shoqërie të shtypur nga krimi./
Shkruar nga Afrim Leknica për Zoom.al
@NewsIn.Al
