Qendra e Barcelonës u mbush me njerëz sot (17.08.2022), në përkujtimet për përvjetorin e dy sulmeve terroriste të nisura nga xhihadistët , ku humbën jetën 16 persona.
Turma mbajti një minutë heshtje në Ramblas, rrugë kryesore e Barcelonës, ku ndodhi sulmi i parë, më i madh nga xhihadistët. Nën tingujt e muzikës tradicionale katalanase, të afërmit e shumë viktimave dhe zyrtarët lokalë vendosën kurora me lule të bardha në pllakën përkujtimore që është vendosur në rrugën e këmbësorëve.
Qeveria përfaqësohej nga dy ministra, Raquel Sanchez dhe Mikel Iteta. Ishin të pranishëm edhe presidenti i qeverisë lokale katalane, Per Aragones dhe kryetarja e bashkisë së Barcelonës, Ada Colau.
Kryeministri Pedro Sanchez, i cili ndodhet me pushime, në një mesazh të postuar në Twitter u bëri thirrje spanjollëve që “të qëndrojnë të bashkuar për lirinë dhe jetën tonë të përbashkët”.

“Në gusht 2017, Barcelona dhe Cabrils”, një resort turistik 100 kilometra në jug, “përjetuan urrejtje dhe terrorizëm në rrugët e tyre. Pesë vjet më vonë, ne kujtojmë viktimat e këtyre sulmeve dhe vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme paqësore”, shtoi kryeministri socialist.
Ceremonia u ndërpre nga sloganet dhe thirrjet e një numri të vogël protestuesish që mbanin pankarta që kërkonin zbulimin e “të vërtetës”. Këta demonstrues iu përgjigjën thirrjes së organizatave që bëjnë thirrje për pavarësinë e Katalonjës dhe pretendojnë se pas këtyre sulmeve qëndron shteti spanjoll.

