KreuAktualitetiBerisha-GJKKO...Dy orët vendimtare të përplasjes. Kryesia dhe seanca, çfarë pritet të ndodhë...

Berisha-GJKKO…Dy orët vendimtare të përplasjes. Kryesia dhe seanca, çfarë pritet të ndodhë sot…

Berisha-GJKKO…Dy orët vendimtare të përplasjes. Kryesia dhe seanca, çfarë pritet të ndodhë sot…

Sot në orën 14:30, Gjykata e Posaçme ka caktuar të zhvillojë seancën gjyqësore që shtyu të hënën, pas debateve të forta në sallë dhe kërkesës së avokatëve të ish-kryeministrit Sali Berisha, për marrje kohe dhe përjashtimin e gjyqtares së çështjes Irena Gjoka.

Po sot, në orën 12:00, kreu i Rithemelimit të PD-së, ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së tij, që pritet ndoshta të zgjasë po aq kohë sa të afrohet orari i seancës gjyqësore dhe ku do merren vendime konkrete për aksionin opozitar që ka paralajmëruar ish-kryeministri.

Të hënën Berisha tha se “do i përgjigjemi fortë Edi Ramës”, teksa e cilësoi një aksion të qëllimshëm hetimin ndaj tij, për çështjen e privatizimit të “Kompleksit Partizani”. GJKKO ka vendosur masën “detyrim paraqitjeje” dhe bllokim pasaporte për të mos dalë jashtë vendit për ish-kryeministrin, teksa e thirri për seancë në sallë. Berisha e cilësoi vendimin të paligjshëm dhe në shkelje të Kushtetutës, teksa po mbrohet me nenin 73 të saj, ku theksohet se “deputetit nuk mund t’i hiqet liria në çfarëdolloj rasti, pa lejen e Kuvendit”.

Kurse SPAK mbrohet me ndryshimet ligjore të Reformës në Drejtësi dhe kompetencën ku për rastet e masave të lehta apo të provave, mund të veprojë edhe pa iu drejtuar Parlamentit.

Berisha vuri të hënën si kusht që GJKKO të hiqte vendimin antiligjor dhe ai do të shkonte menjëherë për të dhënë shpjegime para SPAK.

Në këtë mënyrë paralajmëroi se edhe ditën e sotme, duke vlerësuar se në mesditë mbahet mbledhja e Kryesisë së PD-së së Rithemelimit, nuk do të shkojë në seancë. Gjykata ka tagrin që nëse i pandehuri apo i dyshuari nuk paraqitet, të urdhërojë sjelljen e tij me forcë. Dhe në rastin e Berishës kjo mund të sjellë tensione të larta politike. Nuk përjashtohet mundësia që sot të zhvillohet edhe ndonjë protestë në mbrojtje të ish-liderit të PD-së, nëse Policia do të marrë urdhër nga GJKKO dhe SPAK për ta shoqëruar.

Pritet që edhe sot seanca të zhvillohet pa prezencën e Berishës dhe me prokurë të avokatëve, teksa mbrojtësi Gjokutaj theksoi të hënën se ish-kryeministri nuk ka pse të paraqitet në Gjykatë, për sa kohë vendimi është i paligjshëm. Ai tha se ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së dosjes dhe se nuk e kërkoi kohën për shqyrtim materialesh, sepse janë 20 mijë faqe, por për të kallëzuar magjistraten në SPAK dhe dhënë kohë që të merrej vendimi mbi kërkesën e përjashtimit.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, pasi vlerësohet se ndryshoi ligjet dhe VKM-të në Qeveri, në favor të dhëndrit të tij të arrestuar, Jamarbër Malltezi dhe 63 pronarëve të tjerë të truallit te “Kompleksi Partizani”, duke e privatizuar. Një prej përfituesve si trashëgimtar ishte edhe Malltezi dhe gjykata vlerësoi se ish-kryeministri me ndryshimet e bëra të paramenduara, ka favorizuar dhëndrin.

Aktualisht SPAK është në proces sekuestrimi të 35 pasurive nga kompanitë ku Malltezi është aksioner për rastin e kompleksit dhe që vlerësohen dhjetëramiliona euro. Malltezi është mbrojtur se gjithçka është bërë në rrugë ligjore, teksa ai ka qenë trashëgimtar i truallit si të tjerët, duke zhvilluar investimin në fjalë sipas rregullave. GJKKO e ka lënë në “arrest me burg”, për akuzën e korrupsionit, shkruan Zoom Al.

NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit