Cila është e shkuara e errët e Gentjan Bejtjas? Pse ai është bërë shpesh pre e disa atentateve deri në ekzekutimin e tij?
Ngjarja e parë në të cilën Gentjan Bejtja, del se u përfshi është ajo e vrasjes së komisarit të Policisë, Dritan Lamaj. Shok krimi duket se kishte të zhdukurin prej më shumë se një dekade, Enver Stafukën. Lamaj, u qëllua për vdekje më 24 shkurt 2013, në Tiranë, brenda makinës së tij, vrasje për të cilën u mor në akuzë, biznesmeni Arben Frroku. Bejtja, bashkë me Enver Stafukën mendohej se i siguroi Arben Frrokut, makinën me të cilën kreu krimin ndaj shefit të komisariatit Nr. 6 në Tiranë, Dritan Lamaj, por nuk u vendosën kurrë para faktit. Kështu që të dy shijuan lirinë, veçse Stafuka edhe jo për shumë kohë. Zhdukja e tij është një nga ngjarjet më të mistershme të botës së krimit. Por ishte pikërisht Bejtja, ai që do të kishte lidhje edhe në këtë rast. Mbrëmjen e datës 8 shkurt 2015, Bejtja, ishte i pranishëm në takimin që Stafuka pati me disa eksponentë të rëndësishëm të krimit në Fushë-Krujë. Pak minuta më vonë, një makinë dhe disa persona të veshur si efektivë të Policisë së Shtetit e morën Stafukën, për të mos e shfaqur më kurrë në publik. Edhe pse zyrtarisht nuk mund të konfirmohet, për familjen i riu nga Fushë Kruja është ekzekutuar sepse dinte shumë.
Për për çfarë? Ende nuk dihet.
Ngjarja e dytë e lidh me Valter dhe Durim Bamin, të dy, të cilësuar si “të fortët” e fshatit Nikël të Fushë Krujës. Valter Bami ishte një ndër të parët që u morën në pyetje nga policia në lidhje me atentatin e fundit ndaj familjes së Gentjan Bejtjas.
“Siç edhe më gjetët kam qenë në shtëpinë time në gjumë. Nuk e kuptoj përse më keni shqetësuar, pasi nuk kam përplasje apo konflikte me askënd,”- ka deklaruar ai, i cili dikur ka pasur miqësi të ngushtë me Bejtjan. Se çfarë e prishi miqësinë mes tyre, edhe sot e kësaj ditë, fjalët nuk dalin nga zona ku tritoli dëgjohet më shpesh sesa këndezi i mëngjesit. Diçka i ka prishur ekuilibrat mes tyre, por çfarë? Askush nuk flet. Për atentatin ku u vra Ramazan Dino dhe u plagosën dy fëmijët e objektivit, Gentjan Bajtja, u shoqërua Valter Bami, i cili në dorën e majtë kishte shenja baruti. Por ai është justifikuar, duke u shprehur se në fakt, atë ditë kishte salduar, ndaj edhe kishte shenja. Por ngjarja nuk u zbardh dot as me dëshminë e tij, dhe Bami ia hodhi vetëm me një akuzë, atë të “armëmbajtjes pa leje”.
Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it. Natën e 3 prillit 2022, pasi u vra Gentjan Bejtja rrëfeu në Polici edhe bisedën e tij të fundit me Iljaz Çalin për të cilin nuk dihet se cilat ishin fijet që i lidhnin.
“Tri apo katër ditë përpara se të vritej, kam qenë në shtëpinë e Iljas Çalit për vizitë bashkë me gruan dhe fëmijët. Flisja me të vazhdimisht. Për herë të fundit kam shkëmbyer mesazhe me të, një orë përpara se të vritej. Iljasi me dërgoi një video fetare dhe më shkroi: ‘Dëgjoji se janë fjalë të mëdha’. Unë i shkrova: “Jam tu nejt në shtëpi” dhe i dërgova një foto nga telenovela e Ertugrulit. “Më tha që ‘e kam marrë vetë minierën’. Lajmin e vrasjes e mësova nga televizori. Në varrimin e Iljasit nuk shkova, sepse unë nuk kisha miqësi me të dhe nuk kisha lidhje aq të forta me familjen”.
Alibia e tij për të mos shkuar në varrimin e mikut, me të cilin kishin hyrje dalje familjare nuk iu është dukur e besueshme hetuesve. Ai në fakt nuk shkoi në varrim për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjera nga Nikla, që kishin shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut të tyre. Edhe pse Bejtja u morr në pyetje, kurrë ndaj tij nuk u ngritën akuza për vrasjen e biznesmenit, që ishte përzjerë edhe në betejën për krom, nga e cila në fakt nxorri vetën gjakun dhe plumbat që i morën jetën.
Bejtja u shoqërua edhe pas atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor.
@NewsIn.Al

