CIRONKAT E PRESPËS
Të tre vendet që ndajnë mes tyre liqenet e Prespës, këtë lloj peshku e quajnë:
shqip. Gjuca
ose Cironka e Prespës,
sllv. Преспанската белвица,
grq. Το τσιρόνι των Πρεσπών,
(angl. Prespa bleak).
Bazuar tek monografia: “Fish of Prespa,- Рибите на Преспа, – Peshqit e Prespes, – Τα Ψαρια της Πρεσπας“ botuar në Shkup në v. 2012, nga Hydrobiological Institute – Ohrid, me autorë: Z. Spirkovski, D. Ilik-Boeva, T. Talevski, & Hydra – fishery and aquaculture research center – Tirana, me autorë: A. Palluqi, E. Kapedani, etj, ku jepen për herë të parë, të gjithë llojet e peshqve që rriten në liqenet e Prespës, lidhur me cironkën e këtyre liqeneve, kemi të dhënat që jepen më poshtë. (fq. 55, 56)
Emri i gjinisë së cironkës Alburnus, rrjedh prej latinishtes albus d.m.th. e bardhë dhe kjo, falë ngjyrës së bardhë – të argjendtë, të luspave të peshkut. Emri në sllavisht, belvica ka të njëjtin kuptim, i bardhë.
Kjo është një specie endemike nga familja Cyprinidae. Gjuca apo cironka, anash e ka trupin e rrafshët të mbuluar me luspa të himta të cilat janë të ndritshme dhe bien lehtë. Ka gojë të drejtuar nga lart. Penda dorsale fillon nga fundi i pendës së gjoksit dhe përfundon para pendës fundore. Trupi në pjesën e sipërme, është në ngjyrë jeshile në të hirtë ndërsa nga anash, është i argjendtë në të bardhë dhe ngjyra e barkut, është e qumësht, e bardhë.
Cironka e Prespës, dallohet nga speciet e tjera të Alburnus që gjenden në Evropë nga një sërë karakteristikash si: penda fundore, thellësia e kërcellit bishtor, pjesa anale, etj. Gjatësia e gjucës mund të arrijë deri në 20cm.
Cironka migron në vendet e hedhjes së vezës, gjatë natës, prej muajit maj deri në muajin gusht. Ajo i lëshon ato në ujërat prurës apo përgjatë bregut të liqenit, (në guralecë dhe zhavorr në zonën sipërfaqësore) në cektinat e vogla dhe të mëdha, etj. Kur ajo lëshon vezët në këto vende, zakonisht gjenden vetëm një apo dy femra, ndërsa të gjithë individët e tjerë, janë meshkuj. Numri i vezëve që lëshojnë cironkat, është i ndryshëm dhe ai varet nga mosha dhe pesha e individëve. Megjithatë ky numër, mund të arrijë edhe deri në 10 mijë vezë.
Cironka është ushqimi kryesor për shumimin e pelikanëve të quajtur kaçurrel (Pelecanus crispus), të karabullakut të detit (Phalacrocorax carbo) si dhe të shpendëve të tjerë që ushqehen me peshk.
Cironka e Prespës rrezikohet prej peshkimeve pa kriter, prej thatësirës, ndotjes së ujërave, nga marrja e ujit të liqeneve për vaditje të kulturave bujqësore, etj, etj, faktorë negativë këta që ndikojnë keq, për gjithë florën dhe faunën e liqeneve tanë.
Dr. Ilia V. Ballauri ©
Nxjerrë nga “Korça Encyclopedica” 13/6
@NewsIn.Al


