“Dënglat e Dallgëve”
Dënglat e dallgëve historikisht sfidohen nga dënglat e femrave.
Ndonëse ato janë besnike të një ritmi paqësor, një femër sa hyn në det, i ç’orienton ato.
Si e marrë në lakuriqësinë e mohuar prej muajsh…femra shtyn, ndan dhe tërbon dallgë.
Jep një koncert lëvizjesh mbi dëshirat e saj që sapo i çliroi si Pëllumbat!
I gëzohet një hapësire të qeshure që kudo në ambjente me njerëz duhet ta shpërthejë me takt, ta përmbajë.
Është më pak e korrigjueshme mes dallgëve, është më e mbrojtur se kudo mes tyre.
Deti, Dallga dhe Femra janë tre komponentë të një erotizmi që mashkulli Nuk e zbërthen dot kurrë.
Pista ujore me shkumë të bardhë si fustan nusërie coptuar me gërshërë…i kthen femrës kusur-gëzime të mohuara.
Asnjë femre nuk i mungon dashuria në plazh!
Është gjithësisht e dashuruar me atë që shikon vetëm në ëndërrat me dritë!
Nëse dikush do të njohë më gjërësisht një femër me të cilën nuk do jetë kurrë bashkë, e ka të lehtë shuarjen e kuriozitetit, e vëzhgon në plazh.
Vetëm atje do njohë qeshjen e saj të vërtetë, qetësinë e saj, dëshirat e saj, mallet e saj, mënyrën si do donte të jetonte.
Po ta ndjekësh si rend drejt detit, nga lloji i hapit që hedh në ajër, do kuptosh se ç’farë i ka munguar më tepër!
Po ta shohësh si luan me flokët mbushur me pikëza të shndritshme…do kuptosh se është gati t’i kërkojë borxh diellit një jetë paralele!
Nxirja e trupit është sherri i saj i përhershëm me rrezet!
Nuk e përçojnë gjithkund, nuk mbulojnë shpejtmasi lëkurën e saj të bardhë…ndaj përpëlitet rërës e stërmunduar nga rrotullimet.
Nxirja nga dielli ngjan për Të me një shenjë magjike puthjeje pasionante të gjithkundshme, pa shpërblime të mëpasme rikthimi!
Netët Verore janë një pasarelë e bukur përpara pasqyrës së saj.
Ndjek udhëtimin e rrezeve mbi trup, sheh të pikturuar në të bardhë rrobat e banjos dhe i gëzohet asaj dashurie diellore pa kushte!
Nëse keni vënë re në plazh një femër është më tepër se e qetë, romantike, e gëzuar dhe e përshtatshme me gjithçka.
Femra në plazh gjen hapësirat që do, kohën për vehten që i mungon, bart një makiazh të përhershën tropikal që në qytet lodhet ta imitojë përditë, e fshehur nën kripën e detit justifikon modele flokësh që ngopin bollshëm imagjinata!
Luan si e marrë me dallgë dhe shkumën e tyre!
Në këtë Verë që sapo e zuri gjumi sot, unë morra veten për dore dhe e shëtita me kujdes kudo.
Donte lule-lule, donte det-det, donte rërë-rërë, donte gjumë të thellë-gjumë, donte shtrirje në bar-bar.
Nuk besoj Më se i duhet lënë të nesërmes gjithçka.
Koha ecën tashmë me një ritëm që hapat i dëgjohen!
Nuk mendova asgjë, nuk hartova asnjë plan dimëror, dita ime u trefishua nga shplodhja e trurit, dielli perëndonte kur i thoshja unë, dhe deti kishte të frikë të ftohej pa dalë unë në breg.
Duartrokisja veten në një heshtje të plotë dashurie, respekti dhe mallëngjimi për lodhjet e mundet e saj!
Përse duhet të jemi cingunë për të dashur veten?
Ata që na thanë “të dua” na thanë se ishim për t’u dashur.
Ata që bashkëpunuan me ne u shplodhën nga kontributi jonë bujar.
Ata që u shoqëruan me ne, mësuan, ndjenë afër nesh, u dhamë stimul të bëjnë gjëra më të bukura nga etja që të na sfidojnë.
Të gjithëve u dhamë Arsye të na përmendin.
Të gjithëve u dhamë atë ç’ka bartim brënda nesh.
Mjerimit që të presësh nga dikush atë që Nuk e ka fare në përbërje të tij, i duhet mbyllur kapaku i pusit.
Dënglat e Dallgëve këtë Verë të nxehtë ishin më paqësore se kurrë me mua!
Isha një Femër që kisha kuptuar thelbin e jetës si ajër, det, qiell, isha një njeri më afër të vërtetës se vitin që shkoi.
Masa e dashurisë së dikujt për mua nuk ka më prioritet.
Në tendencën të fitojmë të tjerë, të na duartrokasin të tjerë, të jemi aq mirë me të tjerë, harruam të jemi të mirët e vetes.
E harruar në lagështi, në kripë, në rërë, në gurë dhe fllade, i dhurova vetes atë që kam detyrë të bëj me Të, si e Vetmja bartëse e palodhur e dështimeve, lodhjeve, dërrmimeve, harresave, rënkimeve të mija…ajo!
Nuk e lodha fare me bojatisje dhe krehje djegëse.
E lashë të lirë sikur isha në ishull të pabanuar të ngopej me ajër, kaltërsi, me kujtime dhe ëndrra të qeshura.
Arnova qiellin tim si gjithmonë unë me duart e mija, dhe aty ku ishin çarë Retë, vendosa fotografitë e njerëzve që Dua më shumë në jetë, pranë, larg, të ndjerë…gjithçka që duam nuk humbet, mund të rrojë dhe vetëm nga ne!
Dhe qielli im u mbush me shikimet e tyre!❤
Ngriva një dallgë me puthjen e një shikimi dhe e Luta të më presë sërish vitin tjetër nëse…nëse…planet e Zotit për mua në këtë Vjeshtë do jenë me Gjel sheqeri!! ❤NilaR
Selanik_ Anila Rezhda
@NewsIn.Al