KreuKulturë / ArtDëshmorit Raqi Qirinxhi_"Tri krisma u dëgjuan atë pasmesnatë, rrëzë malit të Ostrovicës..."/...

Dëshmorit Raqi Qirinxhi_”Tri krisma u dëgjuan atë pasmesnatë, rrëzë malit të Ostrovicës…”/ Nga Kristaq Laka

80 – vjetori i rënis së deshmorit Raqi Qirinxhiu

Tri krisma u dëgjuan atë pasmesnatë, rrëzë malit të Ostrovicës në Qafën e Becit
Nga Kristaq Laka

Në këtë botë që jetojmë duket sikur spiralja e detyrimeve për të respektuar të rënët, nga disa, është vënë padrejtësisht në pikpyetje për të tjetërsuar e fshehur veprën dhe lavdinë e tyre. Të kujtosh rënin e dëshmore do të thotë të respektosh sjellëlsit e lirisë që përbëjnë një galaktitë të veçantë në historinë e popullit tonë, atë galaktikë të madhe të gjakut mbi të cilin mbiu liria dhe ky mbetet më shumë se një detyrim njerëzor nga të gjithë. Për këtë galaktikë me yje të pashuar askush nuk ka të drejtë t’ua errësojë dritërimin. Bota e luftës përmban magjinë shndërruese që ktheu gjakun në liri, prandaj përulësia ndaj tyre nuk ka për të munguar kurrë.
Njëri prej këtyre yjeve të galakikës së lirisë është edhe Raqi Qirinxhi, një emër i përveçëm i luftës, në qarkun e Korçës, dëshmor i Atdheut, Mësues i Popullit. Jeta e tij u këput si sot, më 13 janar 1944, pra 80 vjet më parë, në pasmesnatën e tufantë rrëzë malit të Ostrovicës në Qafën e Becit, ku u dëgjuan tri krisma… Ai “humbi” aty për t’u kthyer në legjendë e për te lënë pas një enigmë.
Raqi Qirinxhi u lind në Korçë në një familje me rrënjë të hershme qytetare e atdhesie. Ka plot emra të kësaj familje që kanë dhënë kontribute të çmuar për lirinë e pavarsinë dhe përparimin e Atheut. Por Raqi ishte Ai që krijoi majën e lavdisë të kësaj familjeje të madhe korçare. Që në fëmijëri Raqi u dallua për zgjuarsi. Prandaj, sa u hap Liceu Francez në Korçë, më 1917, ishte ndër studentët e parë që u regjistrua dhe shkëlqeu. Ai studioi për matematikë. Liceu ishte një shkollë me kërkesa shumë të larta. U regjistruan 1500 nxënës për ta ndjekur dhe e përfunduan vetëm 246. Gjatë 22 viteve të ekzistencës të Liceut (1917 -1939) vetëm dy studentë janë vlerësuar me nota maksimale në gjitha vitet e në të gjitha lëndët; Raqi Qirinxhi dhe Sotir Kuneshka.
Pas liceut Raqi Qirinxhi vijoi studimet në Francë, ku u diplomua mësues për matematikë dhe fizikë dhe do ta ruante shkëlqimin. Kthehet pedagog po në atë lice. Ishin 20 liceistë, që pasi studiuan nëpër shkollat e Europës, u kthyen profesorë në këtë Lice: Gjergji Canco, Petraq Pepo, Kristaq Fundo, Petraq Fundo, Selman Riza, Nonda Bulka, Enver Hoxha, Abaz Ermenji, Raqi Qirinxhi, Sotir Kuneshka etj.. Dhe ashtu si student, edhe si pedagog shkëlqeu. Për atë çka dha do ta quanin me epitetin e pazakontë: “Poeti i Matematikës”.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste më 7 prill 1939 që mbylli edhe Liceun, shkaktoi revoltë të madhe në popull e sidomos në radhët e inteligjencies e rinisë përparimtare. Shumë studentë lanë studimet dhe u kthyen se i thirri zëri i Atdheut. Mes tyre edhe Raqi Qirinxhi që tashmë ndiqte studimet për Inxhinier Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Torinos, ku pedagogët e tij të befauar e vlerësuan “një fenomen shqiptar”.
Trimat e të mënçurit nuk paramendojnë të lënë gjurmë në rrugën që ecin, por të tjerët duke gjykuar për veprën e vizionin e tyre i bëjnë të pavdekshëm. Vizioni i Raqit për Atdheun e lirinë, për të ardhmen e popullit ishte si shkenca e matematikës. Ai i shkruante aq bukur një shoku të tij: “Mbi lekun ne duhet të përfytyrojmë djersën, mundimin dhe mjerimin e gdhendur të njerëzve që na ndihmojnë për të studiuar… Duke mos harruar kurrë atdheun tonë, ne do t’i vihemi punës dhe studimit të dobishëm… Atdheu ynë na mjafton, neve na mbetet vetëm t’i ndreqim çrregullimet, t’i pyllëzojmë malet, të vlerësojmë tokën e fushave më shumë, të vlerësojmë bukuritë e peizazheve tona, të thajmë kënetat, të shfrytëzojmë pasuritë nëntokësore…”.
Më këtë vizion Raqi Qirinxhi është ndër të parët që vihet në ballë të Lëvizjes Atifashiste. Shtëpia dhe dyqani i Qirinxhinjve u kthyen në bazat më të fuqishme të Luftës në Korçë. Raqi bëhet një nga pjesëmarrësit më aktivë në qytetin e Korçës dhe në zonat e fshatrave Rrëmbec, Tërovë, Pendavinj, Shamoll etj.. Ai shfaqi cilësitë e larta morale e shpirtërore, si atdhetar e antifashist i orëve të para. Caktohet më pas komisar i çetës partizane “Tomorri” që komandohej nga patrioti Riza Kodheli e, mandej, intendent i Shtabit Operativ të Qarkut të Korçës. Edhe katër vëllezërit e Raqit dolën partizanë.
Me udrdhër të Shtabit të Përgjithshëm Raqi Qirinxhi u caktua Intendent i Brigadës së IV sulmuese detyrë tëcilën e kreu në mënyrë të përkryer.
Për kushtet e luftës sonë partizane, detyra e intendentit ishte tepër e vështirë. Raqit i duhej të siguronte veshmbathjen, ushqimet, armët, municionet, ilaçet për të plagosurt e të sëmurët e gjithçka që i duhej luftës e çdo luftëtari. Për profesorin e matematikës ishte shumë e lehtë të zgjidhte problemet më të ndërlikuara të matematikës e fizikës, sinuset e kosinuset… Por zgjidhja e problemve të Intendentit e vinte profesorin përballë dilemave, shqetësimeve e përkushtimit të madh. Tani profesori i shkencave ekzakte ishte përballë shkencës së revolucionit.
Siç pohon një nga bashkëkohësit e bashkëluftëtarët e tij, Raqi do të “vriste” gjumin: nuk diti ç’ishte gjumi i plotë, ç’ishte dreka e darka dhe se ç’ishte pushimi. Të ishe intendent i një ushtrie popullore, i një ushtrie partizane pa kazerma, pa industri, pa armatim e pajisje, pa depo, pa mjete ndërlidhjeje, por vetëm me “koefiçientin” më të lartë, siç thoshte vetë ai, – besimin e patundur në drejtësinë e çëshjes dhe në fitoren e popullit, -ishte një diçka që të shaktonte dhimbje koke se duhej që ku të zinte mbrëmja, të mos të gjente mëngjesi. E megjithë atë kjo punë e vështirë, në kushte kaq të pazakonta, s’ia hoqi kurrë buzagazin dhe optimizmin.
I paharruar do të mbetet Mitingu i Rinisë shkollore Korçare në Voskopojë në maj të 1943. Voskopoja e djegur nga fashistët tronditej nga entuziazmi e këngët partizane. Njësitë partizane po bëheshin gati për marrshim për të goditur armikun në qytetin e Leskovikut. Ishin aty edhe liceistët, nxënësit e Raqit që kishin dalë partizanë. Asnjëri prej tyre nuk pranoi të mos shkonte të merrte pjesë në aksionin kundër garnizonit armik të Leskovikut. Atëhere, përmes emocioneve dhe entuziazmit foli dhe Raqi Qirinxhi: “Nxënës të dashur! Në shkollë disa prej jush kanë marrë pesa në provimet e matematikës… Në notat unë kam qenë i rreptë, ju e dini mirë. I rreptë jam dhe tani, por ju e dhatë provimin shkëlqyeshëm duke dalë këtu në mal!”
Gjatë udhëtimit nëpër vende për të siguruar materiale, për djemtë e vajzat e malit, ndonjëherë zjente përbrenda nga revolta, për pamundësinë e sigurimit të materialeve, por toruan nuk e humbi kurrë e shikimin e hidhte tutje, drejt ëndrrave të rënda.
Ai ishte idealist e besonte në fitore. Nuk e lodhnin llogaritë, që bënte si intendent, se ishte aq i zoti për të qënë intendent, ndoshta edhe të ushtrisë më të madhe modene, por e lodhnin pyetjet: ku t’i gjente materialet e luftës për djemtë e vajzat që luftonin maleve në dëborë e në shi?!
Një ditë Raqit i erdhën një palë këpucë me qafë, të veshura përbrenda me lesh për ta mbajtur ngrohtë dhe me lëkurë që nuk i futej lagështia… Ja dërgonte i jati, Kostaqi. Raqi i pa me kujdes. Baba, kishte mërmëritur, të faleminderit, po unë tani jam bërë si “baba” për të gjithë ata që u lagen këmbët. Dhe i hodhi këpucët në togun e këpucëve të tjera: “Le t’i marrë cilido partizan!- ishte shprehur. Karakteri i tij human sa herë ishte vënë përballë provave të tilla. Por ai nuk shikonte prapa, se ndokush mund të thoshte diçka për gjestet e tij, sepse karakteri tij ishte gatuar për të ndjerë dhëmshuri për të tjerët, për njerëzit e thjeshtë.
Ku u dëgjua për herë të fundit zëri i Raqit?! Kjo ishtë pyetja që mbante më shumë ngarkesë tmerri në mëngjesin e 13 Janarit 1944. Profesori i nderuar dhe i paharruar, Petro Lalaj, një nga kuadrot e luftës për qarkun e Korçës, shok lufte me Raqin ka rrëfyer me dhimbje, se kur e si e kishte dëgjuar për herë të fundit zërin e shokut të tij… Në janar ishte kulmi i Opëracionit Famëkeq të Dimrit, (1943-1944). Partizanët marrshonin mes dy egërsive: Tufanit që nuk pushonte dhe egërsisë së pashoq të nazistëve që nuk pushonin së qëlluari kundër partizanëve. Ishin në Qafën e Becit, rrëzë Malit të Ostrovices. Qafë shumë e rrezikshme. Me që ishte dëborë e tufan dhe rruga mezi dukej, komandanti kishte urdhëruar, që partizanët të ecnim njëshkolonë, për të ruajtur e kontrolluar njëri–tjetrin, se mos rrëzoheshin e të humbisnin në grreminë. Kur ra errësira rruga u bë edhe më tmerrëshme. Komandanti urdhëroi përsëri: gjatë ngjitjes njëshkolonë, të bëhej vazhdimisht apeli. Komandantët e kompanive të kontrollonin praninë e secilit. Kur të thirrej emri i çdo partizani ai të përgjigjej fort: “Këtu!”…
“Gjatë marrshimit e dëgjova disa herë Zërin e Raqi Qirinxhit: “Këtu”- thotë Petroja… Kur mbërritëm afër Spitalit Partizan, u shpërndamë nëpër baza nuk mungonte asnjë. Edhe Raqi. Pas mesnate vonë u dëgjuan tri krisma…
Në mëngjes u grumbulluam. U bë bë apeli… Të gjithë sa dëgjonin emrin përgjigjeshin: “Këtu”… Vetëm zëri i Raqi Qirinxhiut nuk u dëgjua… Nuk u dëgjua atë mëngjes për të mos u dëgjuar kurrë më dhe trupi i tij do të “humbiste” nëpër dëborë. E “hëngri” nata partizanin trim, profesorin, intelektualin e jashtëzakonshëm, ku mënçuria dhe qytetaria e tij ishin si një yll Polar për të gjithë. Shqetësimi e ankthi na pushtoi të gjithëve”…
Komandanti urdhëroi një kompani, që bashkë me disa fshatarë që e njihnin terrenin të kërkonin trupin e Raqi Qirinxhiut… Kërkuan nëpër dëborë, nuk lanë vend pa e shkelur e pa gërryer, por trupi i Raqit nuk u gjet… Komandanti i kompanisë Aliu, gjatë kërkimit, së bashku me disa partizanë dhe disa fshatarë, kishin gjetur në dëborë një triko… Thanë se ishte trikoja e Raqit (!). Po trupi?! Trupi nuk u gjend dhe mbeti Raqi Qirinxhiu pa varr, por jo pa histori…
“Gjilpëra e ankthit dhe misterit” nisi të gërryente historinë e zhdukjes siç gërryen gjilpëra pllakën e gramafonit për dëjgjuar këngë… Po tashmë ajo gjilpërë po gërryente këngën e mortit.
Shumë hamendësime janë bërë për zhdukjen e Raqi Qirinxhit: E hëngri “nata”, e përpiu tufani, e vrau pabesia e plumbave pas shpine për hakmarrje, e vranë për t’i marrë stërlinat që mbante në çantën e intendentit… Kushedi? Por për Raqi Qirinxhiun këtë dëshmor të pazakontë, sot nuk mund të ketë më esplorime për të zbërthyer enigmën e misterin e zhdukjes; bashkëkohësit që nuk jetojnë më nuk e zgjidhen dot, as ne që erdhëm pas tyre. Duke kërkuar të dhëna të tjera, nuk gjeta dot asgjë… qoftë edhe një dritë qiriri të ndezur në dhomëm e errësuar nga ku mund të orientohesha… Më mbeti vetëm të ndez një qiri për përshpirtje dhe për të prekur muret e dhomës së misterit… dhe përsëri i pezmatuar pyes: Kush e vrau?!
Raqi Qirinxhi i shquar në atdhesinë e tij kapërcen historinë mes besës e pabesisë dhe mbetet yll i përjetësisë, pa e ndriçuar konfliktin që polli dilemën mister: Kush e vrau profesorin, Poetin e Matematikes, fenomenin shqiptar të Torinos, komisarin e intendentin e madh?!
Ka laro që vjellin vrer, shpifin në mënyrën më të pështirë për rënien e tij dhe jo vetëm të tij. Por heroizmit nuk mund t’i japësh dot ngjyrë tjetër. Politika e mbrapshtë nuk e ndal dot historinë. Historia është histori, është shkruar me gjak e s’mund të zhbëhet nga kamat e helmëta në shërbim të politikës. Dëshmorët zgjodhën të ecin në rrugën e drejtë të historisë ku eci njerëzimi i botës së përparuar, pa dyshuar çdo të ndodhte më pas…
E megjithatë dëshmori Raqi Qirinxhi, Mësuesi i Popullit, ka një varr, sepse eshtrat e tij u kërkuan dhe u gjendën disa vite pas çlirimit dhe me një ceremony të pazakontë populli e endosi birin e vet në Varrezat e Dëshmorëve të Korçës. Po ai varrin, mbi të gjitha, e ka në zemrën e popullit, në palat e flamurit, në ballë të gjimnazit që mban emrin e tij, që e bëjnë të pavdeksuar dhe të mbetur në krahët e heroizmit.

Korce 1940…nxenes te Liceut Francez dhe midis tyre profesor Raqi Qirinxhi….(ne mes me duart e kryqezuara)….

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit