E kam njohur këtë grua, që kur isha fëmijë… Një grua e bukur, fisnike, gjithë kulturë, e zgjuar…
Punonte në komunale, mbasdite dilte lart nga rruga e shtëpisë sime dhe vinte për të mbushur ujë te Kroji i Mrizit, siç i thoshim ne, krua ku vazhdojmë të mbushim ujë dhe sot.
Bënte shëtitje mbasditeve dhe kthehesh mbasi binte muzgu i mbrëmjes…. Gjithmonë kishte një libër në dorë gjatë shetitjes që bënte…
I kisha vajtur disa herë tek banesa, se jetonte në nje hyrje me infermieren e lagjes, Dyshen, një grua e përsekutuar, por një infermiere e palodhur… Vinja sa herë na sëmuresh gjyshja dhe e merrja për t’i bërë gjilpërat. Futesha në hyrje dhe derën e Musinesë e gjeja ndonjëherë gjysëm të hapur… Një dhomë e vogël që shkëlqente nga pastërtia… Një raft plot me libra kishte në nje cep të dhomë… Një ditë u ndala para derës që e kishte lënë hapur. Ao e kuptoi që isha kurioze tek shihja biblotekën e saj dhe më ftoi brenda. Sapo kishte dalë libri “Dimri i vetmisë së madhe” dhe ajo e kishte lexuar, jo se e kishte për zemër Ismail Kadarenë, por lexonte dhe blinte çdo libër që dilte në librari si ato. -Merre librin, -më tha, -ta kam falur…
U gëzova më shumë për dashamirsinë që tregoi se sa për librin… Ditë më vonë thërrasin babain tim dhe e pyesin, se pse vajza jote shkon shpesh tek shpia e grave të përsekutuara… “Kemi nënën sëmurë”, – iu kishte thënë babai im atyre, por mua më porositi që mos të bija shumë në sy, se “të gjen belaja me këto lloj spiunësh”, që në të vërtete ndodheshin në çdo ferrë e kaçube…
Ika nga ai qytet, se u martova në Fier dhe e kam takuar shumë rrallë, por gjithmonë ajo e pyeste nënën time për mua… Kur e mora vesh se kishte ndrruar jetë dhe mënyren se si është trajtuar e sëmurë dhe mbas vdekjes, më shpëtuan lotët… Një zonjë mbi zonja nuk e meritonte jetën dhe persekutimin që i bënë…
Të flasësh për Musinenë duhen netë të tëra dimri pa pushuar…
Të prehesh e qetë në parajsën e merituar Musine
…Atë libër nuk e kam, sepse kushdo që e kishte e dorëzoi tek mësuesit e letërsisë, sepse ishte bërë nje gabim në titullin e librit… “Dimri i vetmisë së madhe” u zëvendëdua me titullin “Dimri i madh”… Ishte diçka politike, me çfarë mbaj mend. Vërtet nuk e kam librin, por kam në zemër dhe parasysh atë grua gjigande, atë grua që zor të shohesh të dytë si ajo…
Ju përshendes!
***
Kujtime nga Marie Resulaj, për Musine Kokalarin.
@NewsIn.Al

