Monday, April 29, 2024
spot_img
HomeAktualitetiEdhe në botën jashtë, shumica jetojnë “të burgosur"! Një ditë në...

Edhe në botën jashtë, shumica jetojnë “të burgosur”! Një ditë në burgun e Grave në Koridhalo/ELONA KATARO

Edhe në botën jashtë, shumica jetojnë “të burgosur”!

Një ditë në burgun e Grave në Koridhalo

Masat e Covid-19 ndikuan që të kishte një vonesë në kërkesën tonë për të vizituar Burgun e Grave në Koridhalo të Athinës. Kërkesa jonë ishte aprovuar 6 muaj më parë, por për shkak të karantinës takimi u realizua më 31 maj 2021 dhe kështu u gjendëm para portës së rëndë të burgut më të madh të vendit. Ishte një nismë kjo e ndërmarrë nga organizata “Jeta”, në bashkëpunim me Shoqatën “Korça”, si vazhdimësi e vizitës sonë të parë në burgun e grave në Thiva.
Edhe pse ishte hera e dytë që ndërmerrnim një nismë të këtij lloji, emocionet ishin të pashpjegueshme. Në një ambient me të njëjtën formë dhe përmbajtje si i pari, por më pozitiv për të ardhmen.
Burgu i Grave në Koridhalo kishte vërtet aromë gruaja.
Gra të reja, që u ndodhën në vendin e gabuar, në kohën e gabuar dhe sot u privohet liria e tyre, nëna që kanë fëmijët dhe të afërmit, aty, në botë e lirë dhe presin me padurim që t’i takojnë gjatë orarit të vizitave. Por jo vetëm kaq, aty vuajnë dënimin edhe ato gra që… atë, pritjen e ëmbël që të bëhen nëna e realizojnë në burg. Plot 146 gra, të fajshme apo të pafajshme, të dënuara, apo në pritje të gjyqit, dënimit apo pafajësisë. Mes tyre, edhe shumë shqiptare…
Nismën tonë e mbështeti edhe bashkia e Koridhalosë e cila gjithmonë ka përkrahur nismat e ndryshme që kemi ndërmarrë, si p.sh. ndihmat me sirianët, drejtuar nga Elona Gjergo.
Përfaqësinë tonë, të përbërë nga nënkryetari i bashkisë, z. Jorgos Dhimopulos, presidentja e “Jetës”, znj. Elona Kataro, kryetarja e shoqatës “Korça”, znj. Elona Gjergo, ish-kryetari i FSHSHG, z. Etmond Guri dhe kreu i Al-taksi, z. Niko Rama, i priti drejtoresha e Burgut të Grave, znj. Triafandili Kostandopulu, së bashku me znj. Niki Muski.
Gjatë bisedës kuptuam se në mjediset e burgut bëhet një punë e madhe që gratë të merren me aktivitete të ndryshme. Edhe pse për fat të mirë, nuk kanë pasur asnjë të infektuar nga Covid-19, fatkeqësisht pandemia ka lënë gjurmët e saj, duke bërë që shumë prej aktiviteteve të ndërpriten përkohësisht. Megjithatë shpresojmë se jeta do rifillojë shumë shpejt normalisht në botë dhe po ashtu, edhe në atë “botën e vogël”, brenda burgut.

“Jeta” dhe “Korça” ofruan për të burgosurat ndihma materiale në veshmbathje, produkte higjeno-sanitare, veshje dhe lodra për fëmijë të vegjël, por jo vetëm kaq. Gjatë bisedës miqësore shprehëm edhe disa propozime, midis tyre edhe mësime falas të gjuhës angleze, të cilat u mirëpritën me admirim nga drejtoresha e burgut.

Aty mësuam se gratë shqiptare janë shumë bashkëpunuese dhe marrin pjesë në shumë nga aktivitetet që zhvillohen.
Pasi dolëm nga portat e hekurta, mendime dhe ndjenja mikse na vinin në mendje. “Gjithë jetën kam menduar se kush shkel ligjin, duhet të dënohet”, shprehet Elona Gjergo, duke vazhduar: “Madje kam qenë edhe e ashpër në gjykim. Ndoshta, ngaqë jam njeri që matem dhjetë herë për hapin që do hedh. Gjithmonë më ka trembur pasoja. Pasoja e veprimeve të mia dhe ajo e të tjerëve. Është shumë e thjeshtë të gjykosh kur nuk tenton kurrë të hysh dhe të ecësh me “këpucët” e tjetrit. Të atij tjetrit që shpesh jeton kaq pranë shtëpisë tënde dhe… aq larg lirisë së vet”.

Dhe kjo është mëse e vërtetë, siç është po kaq e vërtetë që të gjithë meritojnë një shans të dytë, që nëse u jepet mundësia ta rifillojnë jetën e tyre, të zgjedhin rrugën e duhur. Gratë e burgut të Koridhalosë kanë nevojë për mbështetjen tonë, si nëna, si gra, si pjesë e shoqërisë civile. Ne do të ndërmarrim nisma të tjera të ngjashme për t’u ofruar jo vetëm mbështetje morale, por edhe materiale për të plotësuar disi mungesat e tyre.
Ju falënderojmë nga zemra për ndihmën materiale që ofruat dhe për z. Niko Rama të Al taxi (aplikacioni TaxiFleet) dhe personelin e tij që bëri të mundur transportin e ndihmave.


#Jeta_Greqi, #Shoqata_Korca, #Al_Taxi

RELATED ARTICLES

1 COMMENT

Comments are closed.

Most Popular

Recent Comments