Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të mos i lërë pa punë emrat që nuk u bënë dot deputetë apo u lanë jashtë listave sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Duke ju referuar gazetës SOT , po japim disa nga emërimet e fundit të z.Rama:
Drejtore e re e Spitalit të Traumës apo siç njihet ndryshe Spitali Ushtarak në Tiranë, është emëruar ish-deputetja e Partisë Socialiste, Edlira Bode. Kjo e fundit zë vendin e Arben Zenelajt, i cili e mori këtë detyrë në vitin 2017, ndërsa tani do të kalojë shef Shërbimi në këtë spital. Po kush është Edlira Bode?
Gjatë viteve 2017-2021 ajo ka mbajtur mandatin e deputetes në Kuvendin e Shqipërisë për Qarkun e Korçës, ndërkohë që në profesion është mjeke Specialiste Otorinolaringologe.
Por zonja Bode nuk është e vetmja, pasi kryeministri Rama ka vendosur t’i japë post edhe ish-deputetit të PS, Ervin Bushati. Ky i fundit pak ditë më parë është emëruar drejtor i Postës Shqiptare, ndërsa më herët këtë post e mbante Laert Duraj. Kujtomë që zoti Bushati ishte i renditur i treti në listat e PS për Tiranën në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, por nuk arriti të merrte mjaftueshëm vota për të siguruar mandatin e deputetit.
Po ashtu, pak ditë më parë një tjetër emërim është bërë edhe në Ministrinë e Turizmit. Konkretisht Vilma Bello është emëruar zëvendësministre. Më herët, zonja Bello ka qenë dhe deputete e Partisë Socialiste, ndërkohë që u la jashtë listave në zgjedhjet e 25 prillit. Ish-deputetja e Elbasanit, Elena Xhina, e cila nuk u kandidua në zgjedhjet parlamentare, është emëruar këshilltare e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Ish-deputeti socialist, Adnor Shameti është emëruar pak ditë më parë këshilltar juridik i kryeministrit Edi Rama. Shameti u zgjodh deputet në 2017 në Qarkun e Beratit. Por, në zgjedhjet e 25 prillit ai u la jashtë listës së kandidatëve për këtë qark, për t’u zëvendësuar nga ish deputeti i LSI-së Nasip Naço.
Mes strukturave të partisë, qeverisë dhe institucioneve të tjera, lista përfshin disa emra. Një prej tyre është ish-ministri i Jashtëm dhe ish-deputeti socialist, Ditmir Bushati. Ky i fundit u la jashtë listave për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ndërsa pak javë më parë u caktua në detyrë në Akademinë Politike të Partisë Socialiste. Sidoqoftë, lëvizjet janë argumentuar nga kryeministri Edi Rama si ristrukturim për të maksimalizuar energjitë në kuadër të përgatitjeve të partisë për zgjedhjet vendore të 2023 dhe ato parlamentare të 2025.
Ndërkohë bie ne sy lënia pa funksion të shumë prej ish deputetëve socialistë si Pandeli Majko, Ardit Konomi etj…
#NewsIn. Al

