Ej, njerëz, jetojeni JETËN tuaj!…
“Koko-Festë”, që njerëzit e teatrit këtë fjalëformim lehtësisht e përkthejnë si “Festivali i Komedisë në Korçë” nisi sot, ditë e diel, 29 gusht, teksa zhegu i padurueshëm i kësaj vere po “thyen qafën”. Nisi me një komedi, le të quajmë “të freskët”, siç ajri i këtij qyteti i tillë është, siç mbrëmja pas shfaqjes teksa çapoja “Korçës plakë, Korcës nuse” të ftonte në një vetmi të ëmbël, rrethuar me mendimet e tua, këndelljen, hapin e ngadaltë dhe mushkëritë e mbushura me oksigjen… Komedia quhej “Vdis duke qeshur” e Paul Elliott, një njeri i teatrit dhe televizionit nga Rotherhami i Anglisë. Nuk e njihja këtë emër ndaj dhe i hodha një sy krijimtarisë së tij. Disa shënime fare pak, aty-këtu. Pak i njohur. E megjithatë me shumë produksione televizive seriale, sidomos për fëmijët, por edhe autor i një morie komedish të shkurtra, skeçesh, parodish, stand up comedy-ve etj. Këtu ndofta mund të ceket problemi i përzgjedhjes së veprave dhe autorëve, që në një hapësirë të vogël teatrale që ne kemi si shqiptare, e mira është të vijnë autorë me emër dhe çmime të rëndësishme ndërkombëtare, vepra të njohura botërisht. Por kjo është zgjedhja e regjisorit. Dhe, së dyti, dua t’ia heq vetes këtë paragjykim, sepse në fund të fundit e vlerëshme është sa e bukur dhe sa pëlqehet shfaqja nga spektatori.
Ajo çka e mbajti të paqme mendjen time në raport me cilësinë dhe vlerën estetike të tekstit dhe të trajtimit regjisorial të tij ishte një farë sqime e kulture, e barabitur me një teatër, le ta quajmë të traditës, pa mbivendosje dhe “akrobaci” të shumta groteske, rëndom spekulative, që rrëmbejnë enkas spektatorin drejt gazit e humorit. Si shfaqje, do ta quaja më shumë një shfaqje aktorësh dhe Ilir Bokshi si regjisor, jo pak i njohur prej meje në shfaqjet e tij të stileve të “ndryshme”, kishte pëlqyer kësaj here të rrinte pas aktorëve, bri tyre, i shkrirë e i fshehur aty. Nuk donte të spekulonte me tekstin dhe stilin e tij, me mënyrën e ligjërimit dhe dialogut, përkundrazi e mbajti veprën nën një marrëdhënie aktoriale butësisht realiste, ku edhe respektohej situata në gjasat e natyrshme të saj, por edhe luhej disi me të; fillimisht e vetëpërmbajtur, pak nga pak duke u çliruar dhe sidomos nga fundi, me ardhjen e Bobit, vallëzimin dhe ekstazën erotike të grave lënesha, me një ngarendje komike që solli gëzim gjithkund.

Teksa komedia nisi, siç jam mësuar tashmë me këtë zeje, prisja tejkalimin sa më parë të ekspozesë së zgjatur dhe futjen në atë që e quajmë “intreçio”, pra në ato çka duhet të ngjanin sakaq, pasi koha në teatër, siç e dimë të gjithë, është tepër e shtrenjtë, e limituar dhe kërkon një shfrytëzim maksimal. Fillimisht është një dialog nënë-bijë, ankesa e bijës për dështimin në dashuri të saj me Bobin dhe kuptojmë se e ëma, Koni, tashmë e mbetur e ve, nuk e paska gëzuar jetën e vet siç duhet dhe është ndjerë e ngujuar në “rreptësinë” e kodeve sociale e morale të familjes tradicionaliste, të dështuar, pra të një jete të përkorë, pa “teprime”, brenda konvencioneve ngurtësuese që shoqëria prodhonte. Meri, shoqja e ngushtë e saj, na paska vdekur dhe trupin ia kanë djegur, me pluhurin futur në një vazo. Prania e vdekjes në formën e urnës (hirit të trupit pas djegjes) i krijon shqetësim gruas. Ndërkohë vijnë dhe dy gra të tjera, shoqe të saj, Leona e luajtur nga Zamira Kita dhe Mili e luajtur nga Olta Daku, që e kanë zakon të luajnë letra e të shtyjnë ditën. Kaq është jeta e tyre. Dhe ja, situata ka një gjetje: trupin e vdekur të shndërruar në urnë, në hi trupor mbyllur në një vazo. Pranisë së këtij hiri skeletor të shoqes së tyre të vdekur, ato i bishtnojnë e njëherazi duke luajtur me vdekjen, pra me vazon ku është hiri i Merit, pak nga pak spektatori njihet me jetët e ndrydhura e të dështuara të këtyre tri grave, mëson për pamundësinë e gëzimit të jetës dhe tejkalimit të normave morale ndrydhëse që shoqëria, koha, mosha krijon, duke e kthyer jetën në një ritual lodhës, pa gëzim, pa një aventurë, pa hare, pa çlirim.
Është vërtet një gjetje e bukur: Ç’do të bëjmë me të vdekurin? Situatat lindin vetiu, gjestet, pranim-refuzimet, frika e zbulimit, fshehja etj. Regjisori ka luajtur me hedhje-pritjet e asa urne sa nga njëra tek tjetra, cilësimet, kuptimet. Në një diskutim që bëmë me do miq, emra të nohur të artit teatror, m’u tha se gjetja është diku e një komedie të Eduardo De Filipos, të bërë madje dhe film. Ndofta mund të jetë dhe kështu. Letërsia postmoderne është e njohur për rimarrjen e subjekteve të veprave të njohura duke ofruar trajtime të reja. Janë rimarë veprat e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Shekspirit e gjer te Ibseni, Çehovi, Strindbergu, Brehti etj. Nuk konsiderohen plagjiate, por rikrijime. Në rastin e kësaj komedie mesazhi që përcillet lidhet jo thjesht me qenësinë humane si të tillë, as vetëm me një rrethanë çlirimi në vitet ’60-’70 tek i ashtuquajturi “revolucion seksual” në Evropë e Amerikë, por edhe me nevojën e çlirimit nga tabutë që shoqëria krijon, për t’i dhënë më shumë hapësirë lumturisë, gëzimit, jetës…
Por le të rikthehemi te ajo çka ngjet në komedi!… Ja ku te këto tre gra vejane vjen një djalosh i ri i veshur polic, i cili “vë në jetë” dëshirën e të vdekurës, shoqes së tyre Meri, për të krijuar tek ato pak gëzim, një dritarez lirie dhe ekstaze, përtej rregullit dhe zymtimit që mosha jep, për të risjellë në trupat e tyre një grimëz adrenaline erotike. Dhe ai ia nis një kërcimi mes grash të “hazdisura”, si një “zhigolo” simpatik, duke nxjerrë prej shpirtit të tyre pasionet e ndrydhura erotike prej femrash të parealizuara, ato klithma jete që gjithkush e ka brenda vetes, ngujuar thellë në humbellat e veta morale. Dhe kjo hare, me gjeste seksuale, muzikë dhe burleskë, e ndez më në fund shfaqjen dhe krijon një atmosferë të shpenguar, sigurisht kulmin e saj. Regjisori këtu i ka dhënë gjithë energjinë dhe zjarrin komedisë, e ka flakur petkun “filologjik” të saj, atë përkorje dhe klasicizëm të ekspozesë dhe i ka futur personazhet dhe aktorët në një gazmend të çlirët e papra.
Thash se shfaqja ishte “shfaqje e aktorëve”. Dhe kjo u pa fare qartë te loja e gjithë aktorëve, duke filluar me aktoren e re Paula Kodra në rolin e Rejçëllit, më tutje me Luiza Xhuvanin si Koni, Olta Dakun si Mili dhe Zamira Kitën si Leona, për t’u përmbyllur me aktorin Silvio Goskova si Bobi. Nuk ke kë mburr e kë shan për cilësinë e roleve të realizuara prej tyre si dhe të vetë aktrimit, Zamiren me ate energjine e saj te njohur apo Olten me komicitetin e saj, qe e rremben spektatorin me ojnat e shumta. Ishte sekush në parametrin e vet më të mirë, teksa kemi parasysh edhe atë që të ofronte teksti. Por… por… unë e vlerësoj Lizën sidomos në atë natyralitetin dhe organicitetin e veprimit të saj aktorial, duke e përpunuar thellësisht fjalën dhe formën e reagimit, pa u nxituar, në një ecejakje si “të vështirë” të asaj që duhet thënë dhe asaj që nuk duhet thënë, pra të një përtypje e ripërtypje të mirëmenduar, sidomos të punuar gjatë, me dialogun, marrëdhënien me tjetrin, pa krijuar asnjë “kërcitje”, edhe pse jemi në komedi. Dhe i dyti që më la mbresa dhe do doja t’i jepja “dy krahë” ëndrre për një fluturim edhe më të bukur nesër, ishte Silvio Goskova në rolin e Bobit. Posaçërisht vallëzimi, krejt gjestet, ojnat, loja e bukur seksuale me lëvizjet trupore, na bëri të qeshim shpenguar, çka e gjitha solli një hare e një çlirim të publikut gjer në duartrokitje.
Dekori i Beqo Nanajt, i njohur tashmë për skenografitë e llojllojshme e të stileve të ndryshme që ai krijon, ishte i thjeshtë, i pastër, mund ta quajmë korrekt. Por, në shijen time, unë do të kërkoja diçka më shumë në përpunimin e hapësirës skenike, ndofta me elemente më të “ajërta”, ku trupi dhe lëvizja e aktorit, tok me mizanskenën, të luanin si në një “pistë vallëzimi”. Gjetja simbolike e “fustanit të kuq”, që dekodohet si liria dhe gëzimi i jetës, gjer edhe si eros, u përmbyll këndshëm edhe me mendimin regjisorial në fund, kur gratë i afrohen atij fustani si për ta kthyer të vdekurën “në jetë” dhe të “vdekurat” (tre gratë) të rijetojnë jetën e mbetur tashmë, por me një tjetër shije. Dhe ti ke qejf, në sfondin gjysmë sentimental e gjysmë gazmor që krijohet nga letra-porosi e “trashëgimi” e Merit të vdekur, si një hapy-end, (Molieri këmbëngulte se komedia duhet mbyllur përherë me dritë!), ke qejf pra të thërrasësh: Ej, njerëz, mos e përjetoni jetën tuaj mërzitshëm, si vdekjen, ajo shpejt vjen, tinëzisht, përmes dëshpërimit, vetmisë, kotësisë, pijes, refuzimit; jetojeni JETËN tuaj, atë që një herë jepet! Ftoni në sofër gëzimin, shijoni bukurinë, bëhuni sadopak hedonistë, flakeni tutje të shkuarën që ju ka plakur, flakeni petkun e zymtimit, flakeni fustanin e zisë dhe vishni fustanin e kuq, fustanin e bukur të dashurisë!…

#NewsIn. Al

